​Rritet numri i gjobave dhe inspektimeve, kaq punëtorë humbën jetën sivjet në vendin e punës

Aktuale

​Rritet numri i gjobave dhe inspektimeve, kaq punëtorë humbën jetën sivjet në vendin e punës

Më: 3 dhjetor 2023 Në ora: 12:49
Hekuran Nikqi

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikqi ka deklaruar se në krahasim me vitin e kaluar ka rënie të numrit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, kjo për shkak të punës që ka realizuar ky institucion gjatë vitit. Ndërsa shtoi se gjithsej këtë vit janë tetë vdekje në vendet e punës. Megjithatë, sfidë mbetet numri i vogël i inspektorëve, pavarësisht se ky numër është dyfishuar këtë vit.

Nikqi në një intervistë për KosovaPress Nikqi thotë se kanë rritur edhe numrin e inspektimeve dhe atë të gjobave me qëllimin e vetëdijesimit të subjekteve me të drejtat e punëtorëve.

Ai deklaron se këtë vit numri i vdekjeve ka shënuar rënie, nga 15 në 8.

Nikqi: Vitin e kaluar kemi pasur 15 vdekje në vendin e punës, ndërsa këtë vit deri tash janë tetë

“Vitin e kaluar në 2022 kemi pasur 15 vdekje në vendin e punës si pasojë e kushteve të punës, ndërsa këtë vit deri tashmë kemi tetë vdekje në vendin e punës si pasojë e kushteve të punës dhe veprimtarisë të punëtorëve në punë”, vijon Nikqi.

Ndërsa, ai shton se sektori më problematik që nuk respekton mjaftueshëm të drejtat e punëtorëve mbetet i ai ndërtimtarisë, derisa shton, se janë duke punuar në këtë drejtim.

Nikqi: Sektori më problematik ende mbetet sektori i ndërtimtarisë

“Gjithsesi, sektori më problematik ende mbetet sektori i ndërtimtarisë, ku në këtë sektor edhe numri i inspektimeve është rritur dukshëm, po ashtu edhe numri i gjobave është më i madh, për shkak se në këtë sektor subjektet juridike respektojnë më pak të drejtat e punëtorëve, sidomos nga siguria dhe shëndeti në punë”, përfundon Nikqi.

Mes tjerash, ai zotohet se nga viti i ardhshëm do të rrisin edhe më shumë numrin e inspektorëve të punës.

Nikqi: Sfidë mbetet numri i inspektorëve, pavarësisht se ka rritje të tyre

“Inspektorati i Punës në qershor të vitit të kaluar ka pas një numër të pakët me të cilin ka qenë e pamundur të mbikyren të drejtat e punëtorëve në nivelin siç kërkohet. Nga korriku i vitit të kaluar, ne kemi bërë përpjekje si agjenci ekzekutive që ta shtojmë numrin e inspektorëve të punës. Përkundër sfidave të mëdha që ligji paraprak i zyrtarëve publikë ka shkaktuar dhe procedurat në DMZP dhe pas ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për zyrtar publik dhe ndryshimeve që kanë ndodhë në DZMP, ne kemi arritur që nga korriku i vitit të kaluar deri më tani t’i rekrutojmë 38 inspektorë të ri të punës. Me këtë numër rekrutimesh ne kemi ngritur numrin e inspektorëve të punës në përgjithësi në 60 inspektorë të punës në shtatë rajonet e Kosovës ku operojnë si Agjenci ekzekutive. Ky numër pavarësisht që duket i madh, ende nuk mjafton për të mbikëqyr në nivelet e duhura të drejtat e punëtorëve dhe ne duke filluar nga viti i ardhshëm do të synojmë që të rrisim numrin e inspektorëve të punës tutje”, thotë Nikqi.

Rritja e numrit të inspektimeve dhe e gjobave, Nikqi thotë se kanë ndikuar që kompanitë të respektojnë të drejtat e punëtorëve, porse thekson se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

Nikqi: Respektimi i të drejtave të punëtorëve në Republikën e Kosovës së fundmi ka filluar të përmirësohet dukshëm

“Respektimi i të drejtave të punëtorëve në Republikën e Kosovës së fundmi ka filluar të përmirësohet dukshëm. Kjo për faktin se i kemi rritur inspektimet në terren dhe gjithashtu kemi rritur edhe numrin e gjobave me qëllimin e vetëdijesimit të subjekteve të cilat shkelin të drejtat e punëtorëve. Në vitin 2020, Inspektorati i Punës ka realizuar 3 mijë e 832 inspektime, në vitin 2021, ka realizuar vetëm 3 mijë e 22 inspektime, në vitin 2022 Inspektorati i punës ka realizuar 6 mijë e 316 inspektime, ndërsa këtë vit nga janari deri në tetor, Inspektorati i Punës ka realizuar 6 mijë e 347 inspektime dhe deri në dhjetor kur përmbyllet edhe viti, Inspektorati i Punës synon të realizojë 7 mijë inspektime. Përpos inspektimeve, në respektimin e të drejtave të punëtorëve nga subjektet ka ndikuar edhe numri i gjobave që është rritur me qëllimin e vetëm të vetëdijesimit të subjekteve. Në 2018 Inspektorati i Punës ka shqiptuar vetëm 270 gjoba, në 2019 ka shqiptuar 220 gjoba, në 2020 ka shqiptuar 115 gjoba, në 2021 ka shqiptuar 281 gjoba, në 2022 ka shqiptuar 359 gjoba dhe për këtë vit deri në tetor ka shqiptar 820 gjoba. Të dyja këto elemente kanë ndikuar që të drejtat e punëtorëve si nga marrëdhënia e punës, ashtu edhe nga siguria dhe shëndeti në punë të përmirësohen në Republikën e Kosovës ndjeshëm... Këto elemente kanë ndikuar edhe në uljen e numrit të vdekjeve në vendin e punës si pasojë e kushteve të punës”, thotë Nikqi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat