LDK nuk mbështet draft-statutin për Asociacionin

Aktuale

LDK nuk mbështet draft-statutin për Asociacionin

Më: 9 dhjetor 2023 Në ora: 11:49
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar draft-statutin për Asociacion të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, tha se ky draft-statut parasheh autonomi.

“Sot bëhen 1 javë që kur LDK ka pranuar zyrtarisht nga ndërmjetësuesit draft-statutin e Asociacionit, pra dy muaj pas prezantimi në Kosovë, e 40 ditë pasi  njëjti është pranuar nga Qeveria. Ka pasur synime që njëherë të na jepet vetëm për lexim ky draft-statut. Nuk kam pranuar një qasje të tillë, kështu nuk vepron LDK. Për LDK ka qenë shqetësuese mbyllja hermetikisht e Qeverisë Kurti para dhe pas pranimit të këtij dokumenti. Të mbyllësh një dokument para spektrit politik është qasje e paprecedent”, tha ai.

Më tej, ai shpalosi qëndrimet e tij mbi dokumenti.

“Si kryetar po jap disa vlerësime të para mbi këtë dokument. Ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizm, nis me rezolutën 1244 si paralele e shpalljes së pavarësisë, e përfundon me arbitrash si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, tha ndër tjera ai.

Abdixhiku tha se është pakuptimtë se si institucionet e Kosovës kanë pranuar një asociacion të tillë.

“Unë besoj që prapa kësaj fatkeqësie qëndron një paaftësi e thellë dhe një apetit për popullizëm që na sjell në situate të rënda. DK nuk mund të mbështet asnjë produkt që del jashtë kornizave të Kushtetutës. Këtë qëndrim e kemi shpalosur gjithmonë”, deklaroi ai.

Kreu i LDK-së potencoi tutje se “Qeveria populliste ka arritur qe për 2 vite dialogun ta shndërrojë në dialog që jep autonomi”.

Më tej, ai deklaroi se popullzimi ka arritur që Kosovën ta mbajë të sanksionuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat