“I bëj kërkesë Kurtit t’i ndalë edhe 170 eurot e veteranëve”, thotë Hajdari i OVL-UÇK-së

Aktuale

“I bëj kërkesë Kurtit t’i ndalë edhe 170 eurot e veteranëve”, thotë Hajdari i OVL-UÇK-së

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 19:42
Enver Hajdari dhe Albin Kurti

Pas raportimeve të sotme se Qeveria e Kosovës ka përjashtuar kategorinë e veteranëve të luftës nga subvencionimi i energjisë elektrike, Anëtari i Kryesisë së OVL-UÇK-së, Enver Hajdari, i bëri kërkesë kryeministrit, Albin Kurti, që pas këtij vendimi, t’ua ndalin edhe pensionin prej 170 eurove.

Ani pse këto raportime janë mohuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, përsëri Hajdari tha se Qeveria aktuale po i trajton veteranët e luftës në mënyrën më të keqe të mundshme.

“Po i bëj kërkesë ministrit e kryeministrit që le t’i ndalin është këto rroga që i kanë nga 170 euro, sepse kemi jetuar edhe pa to, e mund ta bëjmë përsëri. Ne nuk kemi kërkuar lëmosha, kemi kërkuar të trajtohemi në mënyrë të dinjitetshme. Kjo është shumë absurde, sepse po trajtohemi në mënyrën më të keqe të mundshme. Kurrë në jetë nuk e kemi bërë mend që njerëzit që kanë luftuar për këtë vend, kjo Qeveri prej se ka ardhur në pushtet, po i  trajton në mënyrën më të keqe të mundshme invalidët dhe familjarë të dëshmorëve. Sikur jemi mësuar me këtë Qeveri. Para ca ditësh nuk janë përfshirë në pagën minimale, sidomos veteranët, ndërsa tani në miratimin e buxhetit të Kosovës, nuk janë përfshirë përsëri invalidët e luftës”, deklaroi Hajdari.

Subvencionimi i energjisë për këto kategori nga ana e Qeverisë bëhej në baza vjetore në KEDS.

Kështu invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve, viktimat e dhunës civile, nuk do të trajtohen si kategori të veçanta, por vetëm si qytetarë të thjeshtë.

Ndërsa, Qeveria thotë se të gjithë këta ish-përfitues kanë mundur të aplikojnë për të qenë pjesë e masës së re për Subvencionimin e Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat