Rasti i Shaban Gogajt, avokati i tij paditi gjyqtarët, merr përgjigje nga Apeli

Aktuale

Rasti i Shaban Gogajt, avokati i tij paditi gjyqtarët, merr përgjigje nga Apeli

Më: 31 janar 2024 Në ora: 23:32
Besnik Berisha

Besnik Berisha, i cili është avokat i Shaban Gogajt, të akuzuarit për vrasjen e Agonis Tetajt më 23 shtator të vitit 2018, kishte paditur gjyqtarët që e kishin gjykuar këtë çështje në Gjykatën e Pejës para se ky rast të kthehej në rigjykim.

Shaban Gogaj ishte dënuar për këtë vrasje me 7 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Pejës më 14 dhjetor të vitit 2022 pasi ishte ricilësuar vepra penale nga – vrasje e rëndë në – vrasja nga pakujdesia. Kurse Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim më 28 mars të vitit 2023.

Nga gjyqtarët Violeta Husaj-Rugova, Florije Zatriqi dhe Sami Sharraxhiu, Besnik Berisha në emër të Shaban Gogajt kishte kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim.

Kjo padi ka marrë përgjigje nga Gjykata e Apelit më 19 janar të këtij viti. Apeli e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që e kishte refuzuar këtë padi, mbi bazën kushtetuese të imunitetit të gjyqtarëve që kanë ndaj këtyre padive.

Pse janë paditur gjyqtarët?

Sipas dosjes së Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com, Besnik Berisha kishte pretenduar se klientit të tij i ishin shkaktuar dhimbje fizike, vuajtje psikike dhe frikë nga disa vendimmarrje që kishte bërë ky trup gjykues.

Burimet për këto ndjesi, sipas Berishës, janë rihapja e kundërligjshme e shqyrtimit gjyqësor, revokimi i aktvendimit për pranimin e fajësisë, vazhdimi i paraburgimit të paditësit të parë pa avokat mbrojtës, refuzimi i vazhdueshëm i kërkesave për trajtim psikiatrik, nxjerrje të kundërligjshme të urdhëresës drejtuar Odës së Avokatëve për caktimin e një avokati ex officio, mohimi i të drejtës kushtetuese që klienti i tij të mbrohej nga një avokat sipas përzgjedhjes së tij.

Sipas Berishës, qëllimisht është bërë shkelja e Kodit të Procedurës Penale, çka i përjashton sipas tij gjyqtarët në fjalë nga fushëveprimi i imunitetit funksional.

Fillimisht padia ishte ushtuar në Gjykatën e Pejës më 6 dhjetor të vitit 2021, kurse me vendim të Apelit kjo padi ishte deleguar në Gjykatën e Gjakovës më 21 shkurt të vitit 2022.

Vendimi i Gjykatës së Gjakovës, me gjyqtarin Durim Balaj, ishte marrë më 31 gusht të vitit 2022, kur ishte refuzuar padia e Berishës për kompensim, duke vlerësuar se gjyqtarët në fjalë veprimet dhe vendimet e tyre i kishin ndërmarrë brenda fushëveprimit të detyrave dhe përgjegjësive si gjyqtarë.

“Me nenin 107 paragrafi 1 të Kushtetutën e Republikës së Kosovës, parashihet se: “Gjyqtarët, përfshirë edhe gjyqtarët porotë, gëzojnë imunitetin nga ndjekja penale, paditë civile dhe shkarkimi nga funksioni, për vendimet e marra, votimin e bërë, mendimin e shprehur dhe për veprimet e tjera të ndërmarra që janë brenda fushëveprimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre si gjyqtarë” – thuhet në dosjen e Gjykatës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës, vendimet e lartpërmendura mund të paraqiten si pretendime-objekt i mjeteve të goditjes në instanca më të larta gjyqësore, e assesi që për ato shkelje palët të iniciojnë konteste ndaj personave ligjzbatues në Kosovë, për të cilat veprime edhe akti me i lartë juridik i Republikës së Kosovës gjyqtarëve u ka dhënë imunitet.

Këtë vendim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, duke vlerësuar se vendimi i marrë nga Themelorja është i drejtë dhe i ligjshëm dhe i njëjti nuk është i përfshirë me ndonjë shkelje të dispozitave kontestimore.

Vendimin e Apelit në fjalë avokati Besnik Berisha për KALLXO.com tha se nuk e ka pranuar ende, kurse rasti i klientit të tij tha se nuk ka se si të dalë ndryshe veçse vrasje nga pakujdesia.

Kolegji i gjyqtarëve që ka vendosur mbi vërtetimin e refuzimit të vendimit të Themelores përbëhet nga Liridon Maloku-kryesues, Halide Reka dhe Bujar Muzqi – anëtarë.

Fjalët përfundimtare për këtë rast pritet të jepen më 7 mars të këtij viti në Gjykatën Themelore të Pejës.

Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur më 28 shtator të vitit 2023 nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë.

I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.

Çka thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat