Sadiku: Më shqetësues është helmimi i qenve, se sa shpërndarja e fletushkave kërcënuese në veri

Aktuale

Sadiku: Më shqetësues është helmimi i qenve, se sa shpërndarja e fletushkave kërcënuese në veri

Më: 13 shkurt 2024 Në ora: 23:55
Skender Sadiku

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, tha se problem shumë më i madh është helmimi i qenve në veri, se sa fletushkat kërcënuese për Policinë dhe shtetin e Kosovës.

Megjithatë, Sadiku vlerësoi që çështja e fletushkave, përsëri mbet një mister.

“Protesta ishte definitivisht protestë paqësore. Protesta ishte organizuar nga një sindikatë e pensionistëve, fatmirësisht nuk u tejkalua në abuzim nga politikanët dhe nga partitë politike. Kurse, çështja e shkrimeve e fletushkave, mbet pak mister. Mirëpo, një problem ende më i madh është vrasja apo helmimi i dy qenve, e ky është problem shumë më i madh se sa disa fletushka që s’dihet saktë burimi i tyre”, deklaroi Sadiku.

Ndërkaq, i pyetur se a janë të kënaqur me qasjen e Qeverisë Kurti sa i përket veriut, Sadiku potencoi se segmenti i sigurisë është rritur.

“Ndërsa me pjesët tjera sikur në mbarë Kosovën, s’jemi të kënaqur”, shtoi tutje Sadiku.

Kujtojmë se fletushka me përmbajtje kërcënuese drejtuar Policisë së Kosovës janë shpërndarë të hënën në veri të Kosovës. Fletushkat e shpërndara në emër të “Mbrojtjes Popullore”, japin udhëzime për serbët lokale se si të rezistojnë ndaj Policisë së Kosovës, si dhe shërbyesve civilë.

Njëherit, disa qenë kanë ngordhur gjatë fundjavës në veri, e që për të njëjtit dyshohet se janë helmuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat