Shkodra për Samitin e nesërm: Nuk pres lëvizje në drejtim të njohjes së Kosovës nga Ukraina

Aktuale

Shkodra për Samitin e nesërm: Nuk pres lëvizje në drejtim të njohjes së Kosovës nga Ukraina

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 23:19
Selami Shkodra

Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra ka thënë se Samiti i cili do të mbahet në Tiranë dedikuar Ukrainës është vendim që merr vëmendjen e faktorit shqiptarë dhe ndërkombëtarë, por që Shkodra tha se nuk pret që mund të ketë lëvizje në drejtim të njohjes së Kosovës nga shteti i Ukrainës.

Shkodra potencoi se ky samit do të shpërfaqë anshmërinë e shqiptarëve karshi konfliktit në Ukrainë.

“Mendoj që është e drejtë dhe është vendim i duhur i shqiptarëve sepse shqiptarët nuk janë të paanshëm në këtë konflikt shqiptarët që nga ramja e murit të Berlinit janë të pozicionuar me boshtin perëndimorë dhe mendoj që duhet të jenë në akordancë të plotë me aleatët e tyre, sepse është ky perëndimi që shpëtoi një pjesë të kombit shqiptarë nga shfarrosja. Mendoj që është samit i rëndësishëm dhe merr vëmendjen e faktorit shqiptarë dhe rajonal por nuk pres fare që mund të ketë lëvizje në drejtim të njohjes së Kosovës sidomos në këtë fazë”, deklaroi Shkodra.

Por që sipas tij, më e mira do të ishte që të mbahej një takim kokë më kokë mes presidentes Vjosa Osmani  dhe kryeministrit ukrainas Volodimir Zelensky. Kjo pasi sipas ish-zv.ministrit, qëndrimi i Ukrainës karshi Kosovës nuk ka qenë korrekt duke iu referuar takimit të fundit multilateral, ku patën mundësi të përshëndeten kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe homologu i tij Zelensky.

“Më e mira do të ishte që të kishte një takim kokë më kokë me presidenten Osmani dhe presidentin Zelensky. Dhe besoj që do të shkrihen disi akujt, sepse në takimin e fundit që ishte në një nga takimet multilaterale Zelensky u tregua fare indiferent ndaj asaj që iu afrua kryeministri i Kosovës për ta përshëndetë.  Mendoj që qëndrimi i Ukrainës në raport me Kosovën s’ka qenë fare korrekt”, shtoi Shkodra.

Ndryshe, samiti do të organizohet në Tiranë nesër dhe pasnesër me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore.

Dita e parë e samitit do të mbahet të mërkurën e 28 shkurtit dhe do t’i dedikohet tërësisht Ukrainës dhe situatës së shkaktuar atje nga agresioni rus i nisur që më 24 shkurt 2022.

Përfaqësuese e Kosovës do të jetë presidentja, Vjosa Osmani, e cila konfirmoi praninë e saj në Tiranë në dy ditët e samitit. Ndërkohë nga Serbia i pranishëm do të jetë presidenti Aleksandër Vuçiç. Po ashtu i pranishëm në samitit për Ukrainën do të jetë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan përmes një video-mesazhi.

Derisa, dita e dytë e samitit më 29 do të ketë në fokus rajonin mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës ku prezent do të jenë të 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor dhe zyrtarët nga Brukseli. Në këtë takim do të jetë prezentë presidentja e komisionit europian, Ursula Von Der Leyen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat