Hovenier: Rruga e Kosovës drejt BE-së me mirëbesim dhe zbatim zotimeve nga dialogu

Aktuale

Hovenier: Rruga e Kosovës drejt BE-së me mirëbesim dhe zbatim zotimeve nga dialogu

Më: 27 mars 2024 Në ora: 17:26
Jeffry Hovenier

U mblodhën bashkë për të shënuar 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.

Me temën “Demokracia, të drejtat e njeriut dhe ndërtimi i paqes”, Universiteti i Prishtinës bashkë me Universitetin e Arkansasit organizuan një konferencë të përbashkët.

Këtu mori pjesë e para e shtetit Vjosa Osmani ku tha se ndërhyja e NATO-s ka qenë historike mirëpo ende ka sfida sot.

“ Fatkeqësisht, forcat e errëta janë ende shumë aktive sot. Çdo ditë që kalon, Serbia nuk turpërohet të na kujtojë qëllimet e saj më të vërteta. Serbia, përfaqësuesja e Rusisë në rajonin tonë, është e përkushtuar që ta kthejë rajonin tonë në vitet ’90. Serbia dhe aleatët e saj duan të zhbëjnë gjithçka që kemi arritur së bashku gjatë viteve”, tha ajo.

E ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffry Hovenier tha se e kujton shumë mirë atë ditë.

Hovenier tha se ishin shterur të gjithë rrugët diplomatike, andaj intervenimi ishte i domosdoshëm.

“Siç tha Presidenti Clinton më 23 mars 1999, një ditë para se NATO të fillonte operacionin Forcat Aleate “Nëse presidenti Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë në Kosovë”. Pra, ne shënojmë dhe e kemi shënuar ditët e fundit me solemnitet këtë 25 vjetor të operacionit të NATO-s. Ne kujtojmë qindra mijëra njerëz të pafajshëm të dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra të vrarë ose të zhdukur. Na vjen keq shumë për humbjen e jetëve të civilëve të pafajshëm, përfshirë ata që vdiqën gjatë operacionit të NATO-s”, u shpreh ambasadori amerikan.

Hovenier theksoi se nuk ka rrugë tjetër në integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përveç dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Ne shikojmë nga kjo qeveri ashtu siç kemi kërkuar nga të gjitha qeveritë e mëparshme të Kosovës që të punojnë në partneritet me ne, ndërsa ne vazhdojmë në përpjekjet tona së bashku për të ndërtuar një rajon të qëndrueshëm, të begatë, multietnik dhe të sigurt të Ballkanit Perëndimor.. Më shumë se 25 vjet që nga Operacioni i Forcave Aleate dhe pothuajse 25 vjet nga Çlirimi i Kosovës, populli i Shteteve të Bashkuara ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë krenar të qëndrojë krah për krah me popullin e Kosovës”, tha ai.

Krenar dhe i lumtur për gjithçka çfarë ka bërë shteti i Kosovës për këto 25 vjet është shprehur ish-gjenerali Wesley Clark.

“Gjithë këto vite e kam vlerësuar mbështetjen, ndjenjat e mbështetjes nga populli i Kosovës. Kur udhëtoj nëpër botë, kur shkoj në Kosovë dhe kur shkoj në Nju Jork dhe madje kur më shohin shqiptarët e Kosovës më kujton rëndësinë e lirisë, rëndësinë e guximit dhe vendosmërisë dhe luftën për mbrojtjen e familjeve, mbrojtjen e vlerave. Pra, zemra ime është me ty, shpirti im është me ty Kosovë dhe të uroj gjithë të mirat”, tha ish-gjenerali.

Përveç tyre, të pranishëm në këtë konferencë ishin studentë dhe profesor të Universitetit të Prishtinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat