Ish-diplomati amerikan: Agim Krasniqi dhe Gjergj Dedaj me kanë thënë se ishin akuzuar nga UÇK-ja për tradhti

Aktuale

Ish-diplomati amerikan: Agim Krasniqi dhe Gjergj Dedaj me kanë thënë se ishin akuzuar nga UÇK-ja për tradhti

Më: 27 mars 2024 Në ora: 19:45
Shaun Byrnes

Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Shaun Byrnes tha se i kujtohet që i ka thënë dikush që Agim Krasniqi dhe Gjergj Dedaj ishin marrë në pyetje dhe ishin akuzuar për tradhti nga UÇK-ja.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux, dëshmitari tha se një gjë të tillë ia kishin thënë vetë Krasniqi dhe Dedaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duhet përkufizuar tradhtia, por kjo ka qenë një akuzë e UÇK-së nga pikëpamja jonë. Ata kanë qenë të angazhuar në veprimtari normale politike, por më vonë në parti politike”, tha ai.

Dëshmitari tha se UÇK-ja asnjëherë nuk iu ka dhënë arsye për ndalimin e këtyre deputetëve, përfshirë edhe Dedajn e Krasniqin.

“UÇK-ja asnjëherë nuk na ka dhënë arsye për ndalimin e tyre, sa më kujtohet mua, besoj që ka qenë në kuadër të mosmarrëveshjes politike që kishte UÇK-ja me LDK-në. UÇK-ja po përpiqej të shtrijë influencën e vet në këto zona”, tha Byrnes.

Ai tha se pika e kontaktit për lirimin e këtyre 13 deputetëve ishte Sokol Bashota.

Ndryshe, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë edhe gjatë seancës së planifikuar për nesër (28 mars).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat