Ish-kryeadministratori i OKB-së: Nuk arrihet normalizimi i marrëdhënieve me Vuçiqin

Aktuale

Ish-kryeadministratori i OKB-së: Nuk arrihet normalizimi i marrëdhënieve me Vuçiqin

Më: 28 maj 2024 Në ora: 20:21
Soren Jessen Petersen

Ish - përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen, ka folur për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai thotë se nuk do te ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë derisa në pushtet është Aleksandar Vuçiq.

Madje ish-përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen thotë se qeveria e Serbisë është duke bërë gjithçka për destabilizuar Kosovën.

Ai ka kritikuar edhe bllokun evropian që nuk po bënë sa duhet për ta ndalur këtë politikë agresive të Serbisë me shtetin fqinj.

Sipas tij është e patolerueshme që Serbia aktivisht po e bllokon Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare dhe të siguroj njohje të reja.

“Nuk shoh kurrfarë marrëdhëniesh politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe situata do të vazhdojë të jetë e njëjtë derisa në pushtet në Serbi është Aleksandar Vuçiq. Ai e ka bërë të qartë disa herë se kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës. E dyta, qeveria në Serbi është duke bërë gjithçka për ta destabilizuar Kosovën siç është për shembull lufta e tyre diplomatike për ta penguar Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare si dhe të mos ketë njohje të reja. Unë konsideroj se Bashkimi Evropian nuk po bënë mjaftueshëm për ta ndalë këtë politikë destabilizuese të Serbisë në raport me Kosovën”, tha diplomati Petersen.

Diplomati danez thotë se Aleksandar Vuçiq po përfiton edhe nga gabimet që po bëjnë udhëheqësit kosovar.

Andaj ai konsideron se disa vendime për çështjen e targave dhe dinarit kanë qenë të ngutshme nga qeveria e Kosovës.

“Në anën tjetër udhëheqësit e Kosovës duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm që të mos ndërmarrin veprime të ngutshme sepse kështu përfiton vetëm Aleksandar Vuçiq. Për mua disa nga vendimet që u morën për targat dhe dinarin ishin të ngutshme dhe nuk u shpjeguan siç duhet nga zyrtaret shtetëror. Këto vendime i dhanë material mjaftueshëm Vuçiqit për të shpërndare dezinformata”, është shprehur ai.

Jessen Petersen ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ku thotë se në asnjë formë nuk e prish unitarizmin e shtetit të Kosovës.

“Me formimin e Asociacionit në asnjë formë nuk do të prishet shteti unitar i Kosovës dhe për këtë çështje asnjëherë nuk do të bënin kompromis shtet mike perëndimore. Kur Ahtisaari parashtroi planin e tij dhe gjithashtu idenë e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ai e bëri atë për dy arsye. Para së gjithash ai mendoi se duke respektuar dhe pranuar faktin se shumë serbë kanë lindur në Kosovë dhe kanë jetuar aty për shumë vite dhe kanë dashur të mbeten. Prandaj ai mendoi se është e rëndësishme që ata të kenë disa përgjegjësi menaxhuese. Dhe së dyti ai e bëri këtë sepse besonte që propozimi do të forconte sovranitetin e Kosovës, dhe sepse kjo nuk do të ishte një çështje që Serbia mund ta përdorte vazhdimisht për të destabilizuar serbët e Kosovës si pengje të politikave autokratike të Vuçiqit. Pra, këto janë arsye të mira, por Kosova fatkeqësisht ka ecur kaq ngadalë për këtë çështje”, ka deklaruar Petersen.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat