Një vit nga sulmi ndaj KFOR-it, Sveçla: Paqja dhe siguria s’duhet të merren si të mirëqena

Aktuale

Një vit nga sulmi ndaj KFOR-it, Sveçla: Paqja dhe siguria s’duhet të merren si të mirëqena

Më: 29 maj 2024 Në ora: 18:10
Foto nga vendi i ngjarjes

93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë, ishin plagosur një vit më parë në Zveçan, gjatë protestave të dhunshme të organizuara nga serbët për të kundërshtuar marrjen e detyrave të kryetarëve të zgjedhur shqiptarë.

E një vit pas, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla po thotë se shumëçka ka ndryshuar.

Megjithatë, ai thotë se “paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqena, por duhet të mbrohen me vigjilencë në çdo kohë”.

Në një postim në platformën X, ai ka falënderuar “trimat burra dhe gra me uniformë atë ditë që mbajtën linjën kundër milicisë së dhunshme dhe institucioneve tona demokratike”.

“Policia e Kosovës ka identifikuar shumë dhe ka arrestuar dhjetëra autorë. Ata të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha Sveçla.

Ai përshëndeti familjet e të gjithë ushtarëve të lënduar të KFOR-it dhe shprehu mirënjohjen maksimale të vendit “për shërbimin e tyre atë ditë, sot, çdo ditë”.

Postimit, ai ia bashkëngjiti një fotografi me pamjet e 29 majit të vitit të kaluar të ndërtesës së Komunës së Zveçanit, dhe pamjet e sotme të po asaj ndërtese.

Lidhur me këto sulme ka folur komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Ai tha se nderon sakrificën e ushtarëve që vunë në rrezik jetën e tyre në mbrojtje të qytetarëve të Kosovës, teksa kërkoi që të vërtetohen se faktet dhe autorët të mbahen përgjegjës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat