1500 pjesëtarë të FSK-së me armatim të paparë parakalojnë për Ditën e Çlirimit, Kurti u bën një premtim

Aktuale

1500 pjesëtarë të FSK-së me armatim të paparë parakalojnë për Ditën e Çlirimit, Kurti u bën një premtim

Më: 12 qershor 2024 Në ora: 08:15 Përditësuar në ora: 15:27 më 12.06.2024
Emocione e krenari, në Ditën e Çlirimit parakalojnë njësi të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës

​Parakalojnë njësitë e FSK-së dhe Policisë, qindra qytetarë prezent në sheshet e kryeqytetit

Në katër anët e shesheve të kryeqytetit, qytetarë të shumtë kanë përcjellë parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në ceremoninë shtetërore të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, tri kuadrate gjatë parakalimit kanë prezantuar armë me mitraloz të rëndë e kamera në helmeta. Komandantja supreme, Vjosa Osmani tha se më 1999 u mbrojt e drejta e popujve për të qenë të lirë. E kryeministri i vendit Albin Kurti u shpreh se Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në katër anët e shesheve të kryeqytetit, qytetarë të shumtë kanë përcjellë parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Në ceremoninë shtetërore të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, tri kuadrate gjatë parakalimit kanë prezantuar armë me mitraloz të rëndë e kamera në helmeta. Komandantja supreme, Vjosa Osmani tha se më 1999 u mbrojt e drejta e popujve për të qenë të lirë. E kryeministri i vendit Albin Kurti u shpreh se Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se 12 qershori është një nga ditët më domethënëse për historinë e shtetësisë së Kosovës.

Osmani: Më 1999 u mbrojt e drejta e popujve për të qenë të lirë

"Në këtë ditë nderojmë trimërinë, sakrificën dhe shpirtin e palëkundur të popullit të Kosovës, popull i cili luftoi trimërisht për lirinë që e gëzojmë sot. Kjo është një ditë për ta kujtuar të kaluarën tonë të dhimbshme, por po ashtu për të festuar të tashmen tonë dhe për të synuar një të ardhme të mbushur me shpresë dhe prosperitet. Lufta jonë nuk ishte vetëm e jona. Në Kosovë me 1999 u mbrojt e drejta e popujve për të qenë të lirë. Në këtë luftë, UÇK ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës. Gratë dhe burrat trima morën armët për të mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Lufta e tyre nuk ishte vetëm për tokën, por për vet shpirtin e Kosovës. Çdo betejë që ata bënë, çdo jetë që ata rrezikuan na solli një hap më afër lirisë. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ata ishin mbrojtësit e ëndrrave tona për liri, roje e së ardhmes sonë të përbashkët”, deklaroi Osmani.

Kryetarja e shtetit tha se 25 vjet më parë, luftërat e UÇK-së dhe ushtarët e NATO-s, lotët dhe tmerrin i kthyen në shpresë.

Ajo përmendi edhe komandantin legjendar, Adem Jashari dhe familjen Jashari, duke shtuar se Kosova u mbështet edhe nga aleatët ndërkombëtarë.

Osmani: Sot festojmë edhe lidhjet e miqësisë dhe solidaritetin që u krijua gjatë luftës

"Sot ne festojmë jo vetëm çlirimin tonë por edhe lidhjet e miqësisë dhe solidaritetin që u krijua përgjatë luftës tonë. 25 vjet më pas ne po ndërtojmë arkitekturën tonë të sigurisë kombëtare në partneritet me aleatët strategjik dhe po e bëjmë këtë në mënyrë që të zëmë vendin tonë të merituar si partner i besueshëm në aleancën e NATO-s dhe të gjitha strukturat euroatlantike. Kosova është atdheu ynë i përhershëm, ndaj asaj i detyrohemi gjithnjë ashtu siç bënë heronjtë tanë dhe siç na la amanet kryetrimi ynë Adem Jashari”, shtoi ajo.

Edhe kryeministri Albin Kurti theksoi se Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sipas tij, trashëgimia e Adem Jasharit sot është e përbashkuar tek Forca e Sigurisë së Kosovës.

Kurti: Parakalimi juaj na jep ndjenja të sigurisë

"Parakalimi juaj sot këtu në sheshet qendrore të Prishtinës na mbush me krenari dhe na jep ndjenja të sigurisë. Sot, ritmi i hapave tuaj, i zhurmës së çizmeve që i keni mbathur na kthen në ritëm të zemrave tona, neve që ju shohim me kaq admirim dhe nderim. Armët që ju i mbani shtrënguar në duar, këto armë kaq të llojllojshme dhe kaq moderne, shumë prej të cilave do të na i tregoni sot për herë të parë janë zgjatime të vet duarve tuaja të fuqishme, në gatishmërinë e përhershme të secilit prej jush për të mbrojtur rendin dhe ligjin, kushtetueshmërinë dhe sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe dinjitetin e qytetarëve të saj...Jam shumë i gëzuar qe të shoh bashkë me ju përparimin e madh të FSK-së. Kjo është arritur si rezultat i investimeve dhe punës tonë të përbashkët shumëvjeçare e veçanërisht gjatë tri viteve të fundit. Është arritur më shumë se dyfishimit të buxhetit për ushtrinë, rekrutimit të 1852 ushtarëve të rinj të cilëve këtë vit do të ju bashkohen edhe 600 rektutë të rinj, trefishimit të investimeve në armatime, ushtarët tanë kishin vetëm armatim të lehtë, tani janë pajisur edhe me armë të kalibrit të rëndë dhe deri me dronët bajraktar, të cilëve së shpejti do të ju shtohet edhe sistemi amerikan anti-tank”, u shpreh Kurti.

Në ceremoninë shtetërore të shënimit të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kurti shtoi se 1/3 e ushtarëve do të parakalojë në sheshet e kryeqytetit.

Kurti: Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës

"Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në krye si prijës shembull e kishte Adem Jasharin. Me pak armë të vogla e filloi luftën për çlirim, por me vullnet të pathyeshëm e arriti atë 25 vjet më parë bashkë me aleatët tanë. Të dashur ushtarë, trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës sot është e përbashkuar mes jush tek Forca e Sigurisë së Kosovës dhe tek komandanti i FSK-së dhe i juaji, e i yni, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, nipi i Ademit dhe i Hamzës”, përfundoi ai.

Liria e Kosovës, Kurti shtoi se erdhi edhe nga ndihma e forcave të NATO-s. Për çka theksoi se Kosova për ditë është më afër anëtarësimit në këtë aleancë.

Ish ministri i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, tashmë Lordi George Robertson, ka kujtuar kohën e intervenimit në Kosovë dhe objektivat e plotësuara të NATO-s.

Robertson: Atë që duhet bërë e bëmë dhe 78 ditë më vonë e pamë objektivin tonë të plotësuar

“25 vjet më parë isha sekretar i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe e kujtoj shumë mirë kur si ministër i Mbrojtjes bashkë me ministrat e Gjermanisë, Francës dhe ShBA-së folëm për ta konsideruar atë që po ndodhte në Kosovë. I konsultuam strukturat e inteligjencës dhe raportimet e mediave dhe dëgjuam edhe lutjet e njerëzve nga malet. Ne e dinim atë kohë se vetëm ju e dinit se çfarë ndodhte këtu, ne e dinim se diçka duhej të bëhej që gjithçka të ndalonte, e dinim se Kombet e Bashkuara ishin të parealizuara nga vetot e Rusisë dhe Kinës. E dinim se duhej të vendosnim së bashku për të vepruar pavarësisht Rezolutës së Kombeve të Bashkuara. E dinim se mosveprimi ynë do të lejonte Millosheviqin që të vazhdonte edhe më tej spastrimin etnik të shqiptarëve nga vendi i tyre. Atë që duhet bërë e bëmë dhe 78 ditë më vonë e pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi”, tha Robertson.

Robertson ka përmendur vizitën e tij në Poklek të Kosovës dhe tha se aty ka parë se deri ku mund të shkojë dehumanizmi njerëzor.

Robertson: Nga rasti i Poklekut, kam menduar sepse aty kam parë se deri ku mund të shkoj dehumanizmi njerëzor

“Ajo çka kemi parë në kontinentin tonë në vitin 2024 ka shumë akuza të tjera kundër njerëzimit sikurse në Ukrainë ku forcat e Putinit janë duke kryer atje. Gjithashtu nga rasti i Poklekut kam menduar sepse aty kam parë se deri ku mund të shkoj dehumanizmi njerëzor. Ai rast më kujton se duhet të jemi edhe më tej vigjilent për t’i dhënë edhe popullit të Ukrainës resurset e nevojshme, pajisjet dhe mbështetjen politike për të mbrojtur vendin e tyre ashtu siç ju keni bërë me ndihmën e të gjithëve për të rimëkëmbur vendin tuaj”, shtoi Robertson.

Në ceremoninë shtetërore për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës kanë parakaluar 16 kuadrate të FSK-së, shtatë të Policisë së Kosovës, ku gjithsejtë kanë qenë mbi 1500 pjesëtarë.

KFOR-i shënon 25 vjetorin e çlirimit, Ulutas: Krenar të komandoj misionin më të gjatë dhe më të madh aktualisht të NATO-s

Misioni i NATO-së në Kosovë, KFOR, përmes një ceremonie ka shënuar sot 12 qershorin, Ditën e Çlirimit, në Kampin “Film City”, duke thënë se sot shënohet një çerekshekulli angazhim dhe përkushtim drejt sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.

Komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş, tha se është krenar që është në krye të misionit më të madh aktualisht të NATO-s, ndërsa ka nderuar edhe ushtarët që humbën jetën derisa po shërbenin në mision.

Është privilegj të qëndroj këtu me të gjithë ju, si Komandant i misionit më të gjatë në historinë e Aleancës sonë, dhe aktualisht më i madhi i saj; KFOR-i përfaqëson angazhimin e prekshëm, afatgjatë dhe të palëkundur të NATO-s për sigurinë në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të përditshëm të ushtarëve dhe personelit të tij civil”, tha gjeneralmajor Ulutaş.

“Më lejoni të nderoj shërbimin dhe sakrificën e tyre dhe të nderoj ata që humbën jetën duke i shërbyer këtij misioni; pa angazhimin e qindra mijëra burrave dhe grave që shërbyen në KFOR gjatë 25 viteve të fundit, NATO nuk do të mund të kishte luajtur një rol kaq të rëndësishëm në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, shtoi ai.

Roli i KFOR-it mbetet thelbësor; Jam i nderuar të vazhdoj ta ndaj këtë rrugëtim me ju dhe nuk do të kursej asnjë përpjekje, së bashku me mijëra gra dhe burra me uniformë, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s, të cilët jam krenar t’i komandoj”, theksoi komandanti i KFOR-it.

Ceremonia u kryesua nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ndërsa morën pjesë presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, shefat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian, si dhe nga ambasadorë të shumtë të vendeve kontribuuese të trupave të KFOR-it dhe udhëheqës fetarë.

KFOR-i tha se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, përkatësisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.

Kurti: Ushtria e Kosovës kurrë s’ka qenë më e armatosur, më e fuqishme dhe e gatshme për ta mbrojtur sovranitetin

Me rastin e parakalimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për nder të ditës së Çlirimit të Kosovës, ka folur edhe kryeminsitri Albin Kurti.

Kurti tha se ushtria e Kosovës asnjëherë s’ka qenë më e madhe se sot dhe më e gatshme për ta mbrojtur sovranitetin e vendit.

“Ushtria e Kosovës kurrë s’ka qenë më e madhe se sot, më e mirë armatosur, kurrë s’ka qenë më e stërvitur e trajnuar e shkolluar.

Kurrë s’ka qenë më e fuqishme dhe e gatshme për ta mbrojtur sovranitetin e shtetin tonë.” – tha Kurti.

Robertson: Jam krenar se çka bëmë atëherë dhe që jam në Kosovën paqësore në zemër të Evropës

Sot për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në sheshet e Prishtinës kanë parakaluar njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe policisë.

Ish-sekretari i NATO-s, Lord George Roberson, tha se mosveprimi i forcave ndërkombëtare do të lejonte vazhdimin e spastrimit të shqiptarëve nga ana e Millosheviqit.

“Pas 78 ditë të bombardimeve, ne e pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam krenar për atë se çka bëmë atëherë, dhe krenar që jam sot këtu, në Kosovën multietnike dhe paqësore në zemër të Evropës”, tha ai.

Më 12 qershor 1999-të, trupat e NATO-s hyjnë në Kosovë duke çliruar përfundimisht vendin nga okupatori serb.

Në këtë ditë u përmbush ëndrra shekullore e popullit të Kosovës për liri.

Kurti lavdëron FSK-në: Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK-ja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës, ka bërë përparim të madh, ndërsa ka përmendur edhe dyfishimin e buxhetit për armatim, ndërsa ka thënë se FSK-ja e ka origjinën nga UÇK-ja.

Duke folur për funksionimin e FSK-së, Kurti ka ka përmendur blerjen e dronëve “Bayraktar”, ndërsa ka premtuar që do t’i shtohen sistemi amerikan raketor anti-tank, “Javelin”. Ai ka thënë se liria e Kosovës ka ardhur nga lufta e drejtë e UÇK-së dhe nga ndihma e NATO-s.

“Parakalimi juaj sot këtu na mbush me krenari dhe na jep ndjena të sigurisë. Jam shumë i gëzuar të shoh bashkë me ju përparimin e madh dhe të shpejt të FSK-së.

Kjo është si rezultat i investimeve dhe punës sonë shumëvjeçare e veçanërisht të tri viteve të fundit. Kjo është arritur fal dyfishimit të buxhetit, trefishimit të armatimit. Tani janë pajisur edhe me armë të rënda deri me dronët ‘Bayraktar’ e që së shpejti do t’i shtohet edhe sistemi amerikan raketor anti-tank, ‘Javelin’. Një e treta e ushtarëve do të parakalojnë sot. Do të doja që në këtë ditë të rëndësishme kjo paradë të na shërbejë si një nxitje për t’i ripërtërirë ndjesitë tona për liri. Liria  e Kosovës ka ardhur përmes gjakut të dëshmorëve dhe martirëve të rënë. Liria e Kosovës erdhi nga lufta e drejtë e UÇK-së, përfaqësuesit politik i të cilës ishte baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga forcat e NATO. Lë të punojmë për çdo ditë që ta bëjmë lirin tonë sa më cilësore”, u shpreh Kurti.

​Osmani: Luftëtarët e UÇK dhe ushtarët e NATO-s, dhimbjen na e kthyen në shpresë

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se 12 qershori është një nga ditët më domethënëse për shtetësinë e Kosovës.

"Në këtë luftë, UÇK ishte shtylla jonë më e rëndësishme e shpresës. Lufta e tyre nuk ishte vetëm për tokën por për vet shpirtin e Kosovës. Guximi i UÇK ëhtë një histori heroizmi që do të tregohet brezë pas brezi. Ne u detyrohemi atyre me një mirënjohje", tha ajo.

Ajo përmendi edhe komandantin legjendar, Adem Jashari dhe familjen Jashari, duke shtuar se Kosova u mbështet edhe nga aleatët ndërkombëtarë.

"Më 12 qershor luftëtarët e UÇK dhe ushtarët e NATO-s, dhimbjen dhe lotët na i kthyen në shpresë. Sot festojmë edhe lidhjet e miqësisë. 25 vjet më pas po ndërtojmë arkitekturën e sigurisë kombëtare dhe po e bëjmë këtë që të zëmë vendin në aleancën e NATO-s", shtoi ajo.

Në ceremoninë shtetërore për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës do të parakalojnë 16 kuadrate të FSK-së, shtatë të Policisë së Kosovës, ku janë mbi 1500 pjesëtarë.

1500 pjesëtarë të FSK-së me armatim të paparë parakalojnë sot për Ditën e çlirimit

Sot shënohet 25-vjetori, Dita e çlirimit të Kosovës. Ky përvjetor po shënohet me aktivitetet e shumta.

Për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në orën 12:00 bëhet parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

“1500 do të jetë numri i pjesëtarëve të FSK-së që do të parakalojnë në shesh me rastin e përvjetorit të Ditës së Çlirimit”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Në këtë parakalim marrin pjesë krerët e shtetit, deputetë e ministra, si dhe personalitete të ftuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat