Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që edhe sivjet të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore.
Kastrati, qeverinë Kurti e ka quajtur pushtet kriminelësh e banditësh të korruptuar.
Tutje, ai tha se kjo qeveria ka vendosur ta vazhdojë dhunën psikike e fizike ndaj prindërve e nxënësve edhe këtë shtator.
“Ky pushtet kriminelësh e banditësh të korruptuar vendosi sot ta vazhdojë dhunën psiqike e fizike ndaj prindërve e nxënësve edhe këtë Shtator. Prindërit e nxënësit do të dhunohen në radhët e gjata para librarive në temperatura të larta për shkak të tekave e agjendave personale të Nagavcit”, shkroi ai.
Kastrati tutje deklaroi, se Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, do të vazhdojë punën në shtator, teksa ka shtuar se Prokuroria Speciale duhet ta hetojë ministren e MASHTI-t, Arbërie Nagavci.