“Vdekje shqiptarëve” është një mbishkrim i cili është parë gjatë ditës së sotme në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc. Ky reagim vjen një ditë pas protestës së organizuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kërkuan të drejtat legjitime dhe refuzuan diskriminimin që po u bëhet. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu deklaron se do të njoftojnë ambasadat e huaja lidhur me këtë thirrje raciste. Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se nxitësit e kësaj albanofobie janë Dragan Stevanoviq - Bocke dhe drejtori i Shërbimit të trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu thotë se këtë grafit me thirrje raciste e kanë parë qytetarë të Bujanocit teksa kanë marrë shërbime në Shtëpinë e Shëndetit.
“Para pak çastesh u njoftova nga disa qytetarë të cilët mi dërguan këto fotografi, të cilët gjatë ditës së sotme kanë shkuar në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc për të marrë shërbime dhe e kanë parë këtë grafit i cili gjendet në oborrin e këtij institucioni. Grafiti është në gjuhën serbe dhe është ‘vdekje shqiptarëve’, thirrje raciste. Kjo po ndodhë ose ky grafit po shfaqet një ditë pas protestës, të cilën Këshilli Kombëtar Shqiptar bashkërisht me akterët e tjerë të shoqërisë tonë realizuan dje një protestë, përmes së cilës shfaqëm diskriminimin që shteti i Serbisë po e bën në vazhdimësi ndaj komunitetit shqiptar”, deklaron ai.
Ai shton se për grafitin “vdekje shqiptarëve” do të njoftohen ambasadat e huaja në Serbi.
“Shumë shpejt do të njoftohen ambasadat në Serbi, ambasadat e shteteve të Evropës e botës në Serbi, për shkak që dua të kujtoj që për një koment në facebook një qytetar shqiptar është arrestuar dhe i është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Ndërkohë sa i përket qytetarëve serbë kanë komente jashtëzakonisht negative dhe nuk aplikohet i njëjti standard për qytetarët serbë. Unë dyshoj se do të ketë një vullnet prej organeve të rendit që ta zbulojnë rastin, andaj do të kërkojmë edhe vullnetin e faktorit ndërkombëtar sepse për momentin situata apo qasja e shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar absolutisht i ka prekur kufijtë e racizmit”, shton ai.
Lutfiu shprehet i bindur se kjo thirrje është reagim ndaj protestës së djeshme të organizuar në Bujanoc nga shqiptarët e luginës.
“Absolutisht jam i bindur me këtë pjesë (grafiti ka lidhje me protestën e djeshme), për shkak që unë shoh në komente dhe në portale tjera të cilët shprehin në mënyrë krejt të shfaqur, pa rezerva, racizmin ndaj atij organizimi dhe ndaj komuniteteve, kërkesave tona që janë absolutisht legjitime...Protestat do të vazhdojnë jo me dëshirën tonë, por që heshtja e shqiptarëve do të përfundojë për shkak që diskriminimi këtu ka ardhur deri në pikën ku shqiptarët po emigrojnë masivisht nga ky vend dhe fatkeqësia nuk po përfundon këtu, ata kur po emigrojnë atëherë po pasivizohen nga adresat e tyre, nga vendet e tyre”, përfundon ai.
Për mbishkrimin “vdekje shqiptarëve” ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili e quajti reagim albanfob në Bujanoc.
“Pas deklaratave të shefit të vartësit të Aleksandar Vuçiqit, Dragan Stevanoviq - Bocke dhe Drejtorit të Shërbimit të Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq të cilët nxituan të gjykojnë protestën e djeshme të shqiptarëve për të drejta e barazi, sot, kemi reagimin e para albanfob në Bujanoc. Në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc është shkruar një mbishkrim "Smrt siptarima" (Vdekje shqiptarëve) deri më tani, nga persona të panjohur. Këta dy zyrtarë shtetëror, duke sulmuar të drejtën e shqiptarëve për protesta, për libra, për integrim, për njohje të diplomave, për ndalesë të pasivizimit, për zhvillim ekonomik, kanë nxitur një valë reagimesh antishqiptare, kulmi i së cilës u arrit me këtë mbishkrim në institucionin shëndetësor”, ka shkruar ai.
Deputeti Shaip Kamberi theksoi se deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga organet e rendit, përkundër që një ditë më parë ishte arrestuar një shqiptar pas një komenti në facebook.
“Akoma nuk ka asnjë reagim nga organet e rendit, që është veprim krejt ndryshe nga ai para disa ditëve, kur një komentues shqiptar në Facebook, ishte arrestuar "për nxitje të urrejtjes ndërnacionale" dhe të cilit u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Natyrisht, nxitësit e kësaj albanofobie, Bocke dhe Mitroviq, mbeten të heshtur, sepse, në një shtet ligjor do të ishin të parët ndaj të cilëve do të duhej të ndërmerreshin masa ndëshkuese”,thuhet në shkrimin e Kamberit.