​Hapja e Urës së Ibrit, ekspertët: Asnjëherë nuk ka qenë moment më i volitshëm, nuk do të ketë tensione

Aktuale

​Hapja e Urës së Ibrit, ekspertët: Asnjëherë nuk ka qenë moment më i volitshëm, nuk do të ketë tensione

Më: 14 gusht 2024 Në ora: 14:23
Ura e Ibrit

Situata në Urën e Ibrit në Mitrovicë vazhdon të jetë e qetë dhe nën kontrollë.

Ekspertë të sigurisë dhe përfaqësues të Kuvendit Komunal të komunës së Mitrovicës së Veriut vlerësojnë se duhet të bëhet hapja e Urës së Ibrit, ngase sipas tyre nuk ka arsye të vazhdojë të mbetet e patejkalueshme.

Ata kanë thënë se nuk ka indikacione që situata të përshkallëzohet dhe të ketë tensione.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci tha se asnjëherë nuk ka qenë moment më i volitshëm se tani që të bëhet hapja e urës.

Ai tha se në aspektin e sigurisë nuk ka asnjë problem etnik që do ta pengonte hapjen e saj.

Dashevci: Në aspektin e sigurisë, nuk ka asnjë problem etnik

“Në aspektin e sigurisë kurrë nuk ka qenë moment më i volitshëm se tash të hapët ura duke pasur parasysh që në aspektin e sigurisë, nuk ka asnjë problem etnik. Për këtë është kujdesur Polica e Kosovës si reagues i parë, në Republikën e Kosovës… Nuk ka incidente etnike që kjo është për tu admiruar. Andaj, e gjitha tani po i kalon domenit diplomatik dhe duke pasur parasysh siguria në Republikën e Kosovës, në këtë rast matanë lumit në katër komunat iu është ofruar. Duhet të gjendet modaliteti më i mirë, koordinimi më i mirë në aspektin politik dhe diplomatik sipas mendimit tim, që të gjendet koncesioni aq shumë i kërkuar që ura të hapet… Jam i bindur qe ky koordinim do të gjendet dhe duhet të gjendet”, tha Dashevci.

Ai vlerësoi se nuk do të ketë tensione, ngase sipas tij ata që duan ta destabilizojnë situatën janë në kërkim dhe nuk gjenden këtej pari.

Dashevci: Nuk do të ketë tensione

“Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast në aspektin e sigurisë dhe gjithmonë sipas mendimit tim nuk do të ketë tensione. Sepse ata që i kanë krijuar tensionet, që na e kanë shkaktuar 24 shtatorin nuk gjenden më në Republikën e Kosovës. Janë të kërkuar nga Republika e Kosovës, janë në listën e kuqe të Interpolit…Nuk janë më ata këtu që ta destabilizojnë Republikën e Kosovës”, potencoi Dashevci.

Po ashtu, edhe zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Skender Sadiku tha se duhet të bëhet hapja e Urës së Ibrit dhe se kjo nuk kontestohet. Përtej kësaj, ai potencon se është bërë vonë për hapjen e saj.

Ai tha se nuk ka indikacione që situata pranë urës të përshkallëzohet dhe të ketë tensione.

Sadiku: Kjo urë me hapjen e saj do t’i afrohet normalizimit

“Shpresoj që kjo urë me hapjen e saj do t’i afrohet normalizimit…Kjo hapje, ne kemi shpresuar që do të jetë një veprim normal e jo të bëhet aq shumë temë… Pra, ju vlerësoni se duhet të bëhet hapja e urës? Patjetër, nuk kontestohet. Jemi vonë në hapje. Por, përtej hapjes së urës, ne duhet të hapemi edhe si komunitet dhe shoqëri… A mendoni se mund të ketë përshkallëzim të situatës këtu? Nuk besoj, nuk ka indikacione. Edhe pse këtu ne fatkeqësisht në Ballkan dhe në këtë qytet kemi ditur të befasohemi për të keq, por të gjitha indikacionet tregojnë se nuk do të ketë tension”, tha Sadiku.

Në mëngjes u raportua se në Urën e Ibrit ishin të pranishme rreth tri autoblinda të KFOR-it.

Ndërkaq, janë dy qëndrime të ndryshme sa i përket hapjes së urës, në mes ambasadorit të SHBA-së, Jeffry Hovenier dhe KFOR-it si dhe qeverisë së Kosovës.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

Ndërsa, sot në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se hapja e urës nuk është kundër askujt, aq më pak kundër partnerëve të Kosovës.

Të martën, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka deklaruar se Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat