“Vdekje shqiptarëve, Kosova është Serbi” – një tjetër grafit me thirrje për vrasjen e shqiptarëve shfaqet në Bujanoc

Aktuale

“Vdekje shqiptarëve, Kosova është Serbi” – një tjetër grafit me thirrje për vrasjen e shqiptarëve shfaqet në Bujanoc

Më: 19 gusht 2024 Në ora: 14:32
Grafit me thirrje për vrasjen e shqiptarëve shfaqet në Bujanoc

Një tjetër grafit nacionalist ku bënë thirrje për vrasjen e shqiptarëve, është shfaqur në muret e Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc.

Grafiti i vendosur në gjuhën serbe shkruan “Vdekje shqiptarëve. Nuk ju duam. Kosova është Serbi!!!”

Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu.

Ai ka thënë se ky është grafiti i dytë i tillë që shfaqet brenda pak ditësh, pas protestës së mbajtur më 12 gusht, duke lënë të kuptohet se ky akt nuk është i rastësishëm, por një përpjekje e qëllimshme për të nxitur përçarje dhe provokime.

“Edhe një grafitë tjetër në të njëjtin institucion. Grafiti i dytë pas protestës së mbajtur më datë 12 gusht, kjo fare nuk është e rastësishme. Zëri ynë po shpërfaqë nacionalistët të cilët na urrejnë neve, si shqiptarë”, ka shkruar Luftiu.

Ai ka bërë thirrje për përmbajtje nga ana e shqiptarëve, duke kërkuar që të mos bien pre e këtyre provokimeve që kanë për qëllim destabilizimin e situatës dhe përçarjen ndëretnike.

“ I ftoj shqiptarët të mos bien pre e këtyre provokimeve. Autoritetet duhet sa më parë t’i sjellin para drejtësisë autorët e këtyre grafiteve”, shkroi Lutfiu.

Kujtojmë se më 12 gusht shqiptarët e Luginës së Preshevës protestuan  në sheshin e Bujanocit kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe.

Menjëherë një ditë pas kësaj porteste ishte shfaqur një grafit ku shkruante “Vdekje shqiptarëve”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat