Avokati serb, Cedomir Stojkoviq ka reaguar karshi titujve që mediat në Serbi iu kanë vënë lajmeve kur kanë raportuar për deklaratat e ministrave Ivica Daciq dhe Marko Gjuriq. Duke i kritikuar për fushatë nxitëse, Stojkoviq ka kujtuar se herën e fundit kur kishte tituj të tillë, pasoi agresioni në Banjskë të Zveçanit.
Siç ka thënë ai, deklaratat e Daçiqit dhe Gjuriqit se "një shqiptar i Kosovës që jeton në Zvicër ka kërcënuar ambasadat serbe", në mënyrën sesi janë transmetuar në media, kanë krijuar përshtypjen në opinion se në një të ardhme të afërt do të ndodhë terrorizmi i organizuar mbi “të gjithë serbët” nën sponsorizimin e Kosovës.
"Të njëjtat emocione u krijuan në Serbi nga e njëjta media në vitin 2023, pak para sulmit paraushtarak në Banjska. Udhëheqësi i atij sulmi, Milan Radojiçiq, është ende i lirë në Serbi dhe është parë disa herë me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë", ka shkruar ai në X.
Ai ka renditur edhe disa nga titujt që mediat serbe kanë publikuar.
"Mediat e regjimit në Serbi sërish në fushatën e mbjelljes së urrejtjes ndaj shqiptarëve për të ndezur konfliktin! Herën e fundit që patëm tituj të tillë, menjëherë pas tyre, një sulm i njësisë paraushtarake të Milan Radojicic u organizua në Kosovë, në Banjska, por një konflikt në shkallë më të gjerë u shmang falë përpjekjeve të mëdha ndërkombëtare. Titujt e gazetave në Serbi dhe raportet e mediave duken kështu:
- 'Ambasadat serbe në shënjestër të Shiptarit (shqiptarët)';
- 'Synimet e varura në ambasada'
- 'Terroristi i Kurtit: Për 24 orë do të hedhim një bombë';
- 'Shiptarët (shqiptarët) synojnë ambasadën serbe në Evropë'", vijon ai.
Ndryshe, ministri serb, Ivica Daciq ka pretenduar të martën se një shqiptar që jeton në Zvicër ka kërcënuar ambasadat serbe në Evropë.
Familjarët e të njëjtit kanë deklaruar se personi për të cilin Daciq e Gjuriq kanë lëshuar deklarata të tilla është me aftësi të kufizuara dhe se ka autizëm.