Bajqinovci: Këto janë disa nga vendimet dhe punët e mëdha drejt integrimit të plotë të veriut të Kosovës

Aktuale

Bajqinovci: Këto janë disa nga vendimet dhe punët e mëdha drejt integrimit të plotë të veriut të Kosovës

Nga: A.SH Më: 1 shtator 2024 Në ora: 11:19
Albin Kurti dhe Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Qeveria Kurti është ajo e cila ka arritur të kthejë ligjshmërinë dhe rendin në veri të Kosovës.

Ai ka përmendur të gjitha punët që janë bërë në atë pjesë.

Postimi i plotë:

Qeveria Kurti ka arritur të kthejë ligjshmërinë dhe rendin në veri të Kosovës përmes një sërë iniciativash dhe masash konkrete që po sjellin përfitime të drejtpërdrejta për banorët e atij rajoni. Për herë të parë janë hapur Zyrat Kadastrale Komunale në katër komunat në veri të vendit, Zyrat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe pikat e Postës së Kosovës. Kemi lansuar një masë të punësimit për 2,000 banorë të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut. Fillimi i pagesës së energjisë elektrike dhe largimi nga operimi i targave ilegale,patent shoferët, tabelat e qyteteve janë disa nga hapat që po rikthejnë normalitetin.

Gjithashtu, kemi shtuar 15 Stacione të reja Bazë të Transmetimit (BTS), të modernizuara për teknologjinë 4+ dhe 5G, duke sjellë shërbime më të mira dhe më të shpejta për qytetarët. Shtrirja e infrastrukturës dhe shërbimeve përcjellëse të regjistrimit civil në Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Leposaviq është një tjetër hap drejt integrimit të plotë të kësaj pjese në sistemin tonë shtetëror. Brenda disa muajve, janë regjistruar 200 biznese të reja, dhe po ndërtojmë rrugë që kanë munguar prej kohësh, lidhja e fshatrave mes vete dhe me komunat në jug është tashmë realitet.

Për më tepër, dhjetëra shtëpi janë ndërtuar ose janë në ndërtim e sipër, dhe kemi alokuar 4 milionë euro shtesë për subvencionimin e ndërtimit të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.

200 shtëpi të reja do të ndërtohen për banorët e larguar.

Këto janë disa nga vendimet dhe punët e mëdha drejt integrimit të plotë të veriut të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat