​Opozita me akuza ndaj qeverisë Kurti: Më e dobëta në histori të Kosovës

Aktuale

​Opozita me akuza ndaj qeverisë Kurti: Më e dobëta në histori të Kosovës

Më: 9 shtator 2024 Në ora: 15:04
Foto ilustrim

Tri partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë quajtur qeverinë Kurti si më të dobëtën në histori të Kosovës. Sipas tyre, ekzekutivin në këto tri vite e gjysmë e ka karakterizuar prishja e raporteve me aleatë, vendimmarrja e dobët, antikushtetushmëria dhe popullizmi. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefat e tri partive parlamentare thanë se do të angazhohen që në sesionin vjeshtor të legjislativit të shpërfaqin dështimet e qeverisë para qytetarëve.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të angazhohen aktivisht që vendit t’i japin një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai theksoi se Kosova s’ka qenë asnjëherë në pozicion më të pavolitshëm me aleatët ndërkombëtarë.

Tahiri: Kosova s’ka qenë asnjëherë në pozicion më të pavolitshëm me aleatët perëndimorë

“Angazhimi parlamentar i joni do të shkojë që vendit t’i japim një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit që do të mbahen në vendin tonë. Në këtë kohë, në këtë përplasje me miqtë tanë dhe ata që na kanë ndihmu në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe anën tjetër bllokimin e vendit si në aspektin ekonomik, të shëndetësisë, arsimit dhe stagnimit në të gjitha fushat të tjera. Në këto tri vite e gjysmë është bërë shumë pak në mënyrë që të ecim me zhvillimet e duhura që kanë ecë rajoni dhe BE-ja... 19:54 Republika e Kosovës prej shpalljes së pavarësisht s’ka qenë asnjëherë në pozicion më të pavolitshëm në raport me partnerët ndërkombëtarët. Fatkeqësisht sjellja jonë jo e duhur siç e thonë edhe miqtë tanë amerikanë në raport me interesat kombëtare nuk ka qenë korrekte gjatë kësaj periudhe. Kemi ardhur në pikën siç thonë diplomatët amerikanë se Serbia është në anën e duhur, kjo e cila nuk është imagjinuar ndonjëherë”, tha ai.

Kritika ndaj qeverisë Kurti adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi. Ai e konsideroi këtë legjislaturë të Kuvendit por edhe ekzekutivin si më të dobët në histori të Kosovës.

Gashi: Qeveria Kurti më e dobëta në histori

“Kjo legjislaturë, me këtë qeveri dhe këtë qeverisje mund të konsiderohet si qeverisja më e dobët në historinë e Kosovës. Në aspektin e vendimmarrjes, në aspektin e ndërtimit të konsensusit politik dhe në aspektin e përfaqësimit institucional të Kosovës. Është karakterizuar me një tendencë të kapjes së institucioneve, pastaj me shkelje të vazhdueshme të përsëritura të Kushtetutës dhe me tendenca të vazhdueshme për paaftësinë e vendimmarrjes së Kuvendit në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare”, deklaroi ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Kosova ka pësuar dobësim serioz në temat e brendshme ashtu edhe në raportet ndërkombëtare.

Tahiri: Kosova ka pësuar dobësim serioz në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm

“Kosova me qeverisjen katër vjeçare të kryeministrit Kurti ka pësuar një dobësim serioz në rrafshin e brendshëm, si në rrafshin e jashtëm. Dëgjuam këtu se pat komunikim rreth marrëveshjeve ndërkombëtarë, të njëjtat s’kanë qenë problem. Problem ka qenë menaxhimi i brendshëm i Kosovës duke kthyer Kosovën prapa në secilën sferë të jetës dhe duke sjell Kosovën në standin më të ulët qeverisës, zhvillimor dhe kombëtarë”, theksoi Ai.

Tri partitë opozitare parlamentare paralajmëruan se në sesionin vjeshtor të Kuvendit do të shtyjnë përpara përmbylljen e hetimeve në komisionet hetimore, në lidhje me shërbimin e jashtëm por edhe për subvencionimin e teksteve shkollore.

Kuvendi të enjten më 12 shtator do të mbajë seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat