MASHT: S’kemi shumë kërkesa nga Komunat për ndërtimin e çerdheve, pranuam veç 25 propozime të lokacioneve

Aktuale

MASHT: S’kemi shumë kërkesa nga Komunat për ndërtimin e çerdheve, pranuam veç 25 propozime të lokacioneve

Më: 15 shtator 2024 Në ora: 09:41
Gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti” janë ndërtuar veç 4 çerdhe

Lëvizja Vetëvendosja para se të vinte në pushtet kishte premtuar ndërtimin e 160 çerdheve gjatë mandatit qeverisës të Albin Kurtit.

Kanë mbetur pothuajse edhe katër muaj deri në përfundimin e mandatit të plotë të Qeverisë Kurti, kur ky premtim do ta merrë vulën e plotë të dështimit.

Ndonëse partitë opozitare pretendojnë se gjatë mandatit të Qeverisë “Kurti” janë ndërtuar veç 4 çerdhe, nga Ministria e Arsimit në një përgjigje kanë bërë të ditur se 44 çerdhe janë përfunduar, të cilat, siç thonë ata, përfshijnë edhe shkollat e adaptuara në çerdhe dhe ato në proces të ndërtimit, ndërsa 4 janë në proces të tenderimit.

“Deri më tani janë 44 çerdhe të përfunduara, shkolla të adaptuara në çerdhe si dhe në proces të ndërtimit ndërkaq, 4 janë në proces të tenderimit. Në mënyrë që MASHTI të përmbush planifikimin, jemi në pritje të komunave për ndarjen e lokacioneve të përshtatshme për ndërtimin e çerdheve”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it.

Megjithatë nga MASHT-i kanë fajësuar Komunat për mos aplikimin e ndonjë kërkese për ndërtimin e çerdheve.

“Ndërtimi i çerdheve nuk mund të bëhet pa një kërkesë nga Komunat. Deri më tani nga komunat kemi pranuar vetëm 25 propozime të lokacioneve. Një pjesë e madhe e tyre kanë probleme pronësore, probleme të terrenit të papërshtatshëm për ndërtim, probleme me madhësinë e sipërfaqeve të parcelave etj”.

Në përgjigjen e MASHT-it thuhet se këtë vit ishin planifikuar të ndërtohen afro 40 çerdhe por vetëm 6 leje kanë pranuar nga komunat.

 “Përkundër që janë planifikuar afër 40 çerdhe për ndërtim dhe adaptim në këtë vit, nga Komunat deri më sot kemi pranuar vetëm 6 leje për fillimin e procedurave të tenderimit ndërsa kemi edhe disa kërkesa të pakompletuara. Çdo kërkesë e cila ka arritur me dokumentacion të kompletuar nga komunat është proceduar tutje dhe kanë nisur procedurat për ndërtimin e tyre”, thuhet në përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat