“Pragu për partitë e tjera, 5 %, për VV – 50 %” - Albin Kurti i bindur se do ta fitojë edhe mandatin e tretë për Kryeministër

Aktuale

“Pragu për partitë e tjera, 5 %, për VV – 50 %” - Albin Kurti i bindur se do ta fitojë edhe mandatin e tretë për Kryeministër

Më: 8 dhjetor 2024 Në ora: 08:35 Përditësuar në ora: 17:38 më 08.12.2024
Albin Kurti

​Kurti kërkon votën për mandatin e tretë të njëpasnjëshëm më 9 shkurt

Me 120 nënshkrime, Këshilli zgjedhor i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka zgjedhur kandidat për kryeministër për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kryetarin e kësaj partie, njëherësh kryeministrin aktual Albin Kurti.

Këtë e bëri të ditur kryetari i KZP-së të VV-së në këshillin e përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi.

Kurteshi: VV ka vetëm një kandidat - Albin Kurti

“Më 4 dhjetor, Këshilli zgjedhor i përgjithshëm ka shpallur kandidaturat për kryeministër deri më 8 dhjetor, për mbledhjen e nënshkrimeve ne e kemi pasur vetëm një kandidat - Albin Kurti, kryeministri i deritashëm, me 120 nënshkrime” , tha Kurteshi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se për herë të parë, sektorët vitalë të jetës institucionale, publike e shoqërore janë organizuar në mënyrë të duhur.

Konjufca: Sektorët vitalë të jetës janë më mirë të organizuar se në vitin 2020

“Me krenari mund të themi së bashku dhe me zë te lartë se kudo ishte qeverisje më e mirë për qytetarët dhe shtetin tonë qysh nga pavarësia e Kosovës. Le ta mendojmë edhe një herë në qetësi dhe larg dezinformatave që për sovranitetin e Kosovës, për ushtrinë tonë, buxhetin tonë, policinë, sigurinë dhe për të gjithë sektorët vitalë të jetës sonë institucionale publike e shoqërore janë të gjithë më mirë të organizuar sesa në vitin 2020 e më parë. Më 9 shkurt edhe një herë skena jonë politike do të gjykohet nga ana e popullit”, tha Konjufca.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh shefi i qeverisë aktuale, tash edhe kandidat për një mandat të ri, Albin Kurti u shpreh se Kosova ka një qeveri që i shërben të gjithë qytetarëve njësoj dhe jo interesave të pushtetarëve apo liderëve. Sipas Kurtit, pragu për parti tjera është 5 për qind e për LVV është 50 për qind.

Kurti: Pragu për partitë e tjera është 5 për qind, për VV - 50 për qind

“Zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë padyshim të veçanta, për herë të parë prej shpalljes së pavarësisë, Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare. Misioni ynë nuk do të jetë vetëm të shpalosim një program politik për katër vjetët e ardhshëm, por edhe të sigurojmë që qytetarët të jenë të informuar në detaje për te gjitha të arriturat e qeverisë sonë me gjithë sfidat e jashtëzakonshme që kishim përballë. Kosova ka më në fund një qeveri që i shërben të gjithë qytetarëve njësoj dhe jo interesave të pushtetarëve apo liderëve. Para dhe buxhet ka pasur edhe para nesh, por ata njëherë në katër vite blinin vota e pastaj katër vite me rashë i vidhnin, andaj nuk kishte as shtesa për fëmijë, e populli e ka përjetuar ketë ndryshim dhe e di kujt t’ia besoj buxhetin e shtetit të tij. Thirrja ime për ju të shtrini të drejtën tuaj demokratike për të votuar si qytetarë të Kosovës. Pragu për partitë e tjera është 5 për qind e për LVV është 50 për qind”, u shpreh Kurti.

Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së po vazhdon punimet për nominimin e një pjese të kandidatëve për garën e 9 shkurtit, pa praninë e mediave. 

Albin Kurti nominohet për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit të 2025

Albin Kurti është nominuar sot nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje si kandidat për kryeministër në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Albin Kurti ishte kandidat i vetëm për kryeministër.

Kurti u propozua nga Glauk Konjufca.

Konjufca: LVV ka sjellë një kulturë të re të qeverisjes

Para delegatëve të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, nënkryetari i kësaj partie, dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se që nga pavarësia e vendit, kjo qeverisje ishte më e suksesshme për qytetarët dhe për Kosovën.

Le ta mendojmë edhe një herë në qetësi dhe larg dezinformatave që për sovranitetin e Kosovës, për ushtrinë tonë për buxhetin tonë, për policinë tonë, për sigurinë tonë dhe për të gjithë sektorët vitalë e të jetës sonë institucionale, publike e shoqërore janë më mirë të organizuar sesa në vitin 2020 e më parë”, deklaroi Konjufca.

Duke folur për arritjet e kësaj qeverisjeje, Konjufca tha se LVV ka sjellë një kulturë të re të qeverisjes.

E cila sipas tij nuk bën kompromise me shtetësinë, duke mbrojtur interesin shtetëror ashtu siç duhet dhe që lufton korrupsionin me çdo mjet.

LVV sot mbledh Këshillin e Përgjithshëm

Lëvizja Vetëvendosje sot do ta mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

VV ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për Kryeministër për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje, përkitazi me kriteret e përcaktuara statutore, duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 4.12.2024 deri me datë 8.12.2024 pranë KZP (Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm)”, thuhet në njoftimin e të mërkurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat