Një shqiptar në Kenia, Shpëtim Redo, foli në emisionin People në Euronews Albania lidhur me zhvillimin e fundit, ku Kenia ka njohur shtetin e Kosovës.
Duke shprehur përgëzimet për shtetin e Kosovës, ai tha se ambasadorja serbe në Kenia ka paraqitur një notë proteste në lidhje me këtë zhvillim.
“Ambasadorja e Serbisë në Kenia ka paraqitur një notë proteste këtë të enjte. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyera të Serbisë me Kenian. Një nga gazetat kryesore të Nairobit thotë se kjo lëvizje e Kenias ishte një goditje e pamëshirshme kundër lobimit të fuqishëm të Serbisë në kontinentin afrikan për mosnjohjen e Kosovës, një fushatë kjo që ka vite që po zhvillohet”, tha Redo.
Ai shtoi se shqiptarët në Kenia, pavarësisht se janë të pakët në numër, kanë planifikuar të bëjnë një festë të dielën për të shënuar këtë ngjarje politike.
“Jemi një komunitet i vogël prej 10 familjesh shqiptare në Nairobi, që do të mblidhemi të dielën për ta festuar njohjen e Kosovës nga Kenia”, përfundoi Redo.