344 rekrutë të rinj sot dhanë betimin si ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Këta rekrutë, të cilët janë gjenerata e parë që u certifikuan gjatë këtij viti, nga krerët shtetërorë u konsideruan pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe amanet për mbrojtjen e atdheut.
Në këtë ceremoni, e cila u mbajt në Palestrën sportive “Bill Clinton” në Ferizaj, kishin ardhur shumë familjarë të ushtarëve të rinj, por nuk munguan as krerët shtetërorë.
Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Vjosa Osmani tha se ushtria nuk është vetëm një forcë e armatosur, por një përkushtim ndaj sigurisë dhe garanci për paqen. Ajo tha se rekrutët e rinj që u betuan sot janë pasardhësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe sot Osmani rikujtoi se Kosova sot është e lirë falë sakrificës së dëshmorëve dhe martirëve.
Osmani: Ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e UÇK-së
“Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur ushtria e jonë është një betim i përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen… Sot, 344 djem e vajza u bashkohen radhëve të FSK-së duke u bërë pjesë e një misioni tyre të shenjtë mbrojtjes së atdheut të tyre, garantimit të sigurisë dhe mbështetjes së paqes në vendin tonë e përtej tij…Të gjithë sot që u betuat jeni pasardhës të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan gjithçka për atdheun në momentet më të rënda të historisë sonë, prandaj mbajeni këtë uniformë me krenarinë më të madhe…Me këtë uniformë që vishni sot, ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës, ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet, ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ajo.
Presidentja Osmani tha se rruga euro-atlantike e Kosovës është e qartë dhe e pakthyeshme. Sipas saj, FSK-ja me profesionalizmin e saj po dëshmon se është e denjë që të kontribuojë në sigurinë ndërkombëtare.
Osmani: Rruga jonë euroatlantike është e qartë dhe e pakthyeshme
“FSK është më shumë se një forcë, ajo është simbol i përkushtimit dhe i sakrificës, është dëshmi e forcës së shtetit tonë. Ju jeni pjesë e një force, e cila çdo ditë e më shumë po rritet e po zhvillohet duke ndërtuar një ushtri moderne e profesionale e të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë. Me punën dhe përkushtimin tuaj ju do të vazhdoni ta mbani FSK-në krenarinë më të madhe të shtetit tonë, si dhe aleatë të besueshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë… Rruga jonë euroatlantike është e qartë dhe e pakthyeshme. Me profesionalizmin dhe përgatitjen e bijave e bijve tanë ushtarakë e profesionistë po dëshmojmë se Kosova ka një ushtri të fortë e të denjë për të qenë pjesë e strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe sigurisë e stabilitetit global”, tha ajo.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh se diplomimi i rekrutëve sot po ndodh në muajin mars, të cilin muaj ai e konsideroi si muajin e lavdisë kombëtare. Kurti theksoi se betimi i ushtarëve të rinj që do t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës vjen si amanet për mbrojtjen e atdheut.
Kurti: Diplomimi i rekrutëve të rinj të FKS-së, amanet për mbrojtjen e atdheut
“Diplomimi i juaj sot është shumë i veçantë për faktin se ndodh pikërisht në muajin e lavdisë kombëtare. Muaji mars nis me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me hyrjen e NATO-s në Kosovë...11’04 Diplomimi juaj sot në fund të muajit mars vjen si një kapitull i ri pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe ndërhyrjes së Aleancës Veri-Atlantike vjen si vazhdim i amanetit për mbrojtje të atdheut dhe kontributit për paqe. Uniforma që do ta bartni nga sot është nder i posaçëm dhe përgjegjësi e madhe, ajo është dëshmi e gjakut të dëshmorëve që u flijuan dhe frymëzim për të ndërtuar të ardhmen. Prandaj, kujdesuni fort për të. Ju jeni garancia më e fuqishme që populli i Republikës sonë do të jetojë në paqe, integritetit territorial do të jetë i pacenueshëm dhe sovraniteti i paprekshëm”, tha Kurti.
Kurti deklaroi se ushtria e Kosovës çdo ditë e më shumë po zhvillohet e fuqizohet dhe se mbështetja për Forcën e Sigurisë së Kosovës do të jetë e padiskutueshme.
Kurti: Uniforma që mbani sot është trashëgimi e sakrificës së UÇK-së
“Mbështetja e qeverisë do të jetë e padiskutueshme, sepse e tillë është vendosmëria jonë për të ngritur e zhvilluar kapacitetet tona mbrojtëse. Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katërvjeçare që kemi bërë deri më tani. Përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi rekrutuar 2315 ushtarë të rinj, të cilëve do t’u shtohen edhe 390 të tjerë edhe në muajt e ardhshëm në total 2705 ushtarë. Kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë eurosh...15:34 Mos harroni asnjëherë se uniforma që mbani sot është trashëgimi e sakrificës së UÇK-së dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes sonë të përbashkët”, theksoi ai.
Në këtë ceremoni u ndan lëvdata edhe për rekrutët e dalluar, ku për rezultatet e arritura akademike gjatë stërvitjeve u shpërblye rekruti Luan Verbovci, e për performancën më të mirë fizike lëvdatë mori rekrut, Elvis Qitaku, për përkushtim në detyrë më lëvdatë u shpërblyen instruktorët Rafet Gashi dhe Valon Halimi.