Çka po ndodh në Speciale? Dëshmitari i fundit i Prokurorisë mungoi - Shtyhet në afat të pacaktuar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

Çka po ndodh në Speciale? Dëshmitari i fundit i Prokurorisë mungoi - Shtyhet në afat të pacaktuar gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Më: 1 prill 2025 Në ora: 07:58 Përditësuar në ora: 12:57 më 01.04.2025
Ish-pjesëtarët e UÇK-së

Shtyhet në afat të pacaktuar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Në mungesë të dëshmitarit të fundit të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), seanca e 1 prillit në Hagë u përfundua më herët se që ishte planifikuar, pa u dhanë një datë e re kur do të vazhdojë gjykimi.

“Pjesa e mbetur e seancave të kësaj jave janë anuluar dhe gjykimi është shtyrë deri në një njoftim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dëshmitari i cili ishte planifikuar të jepte dëshminë e tij sot ishte i 125-ti i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që më parë kishte thënë se nuk do të ftonte asnjë dëshmitar pas 4 prillit.Pasi u tha se dëshmitari i fundit “nuk ishte në gjendje të paraqitej”, ZPS-ja kërkoi që dëshmia e tij të pranohej me shkrim.

Pasi ZPS-ja përfundon marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve – të cilët janë deklaruar të pafajshëm – do të paraqesin rastin e tyre.

Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, teksa ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.

Ata gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që katër vjet dhe vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Dëshmitari i 126-të s’erdhi të dëshmonte, ZPS-ja kërkon që dëshmia e tij të pranohet me shkrim

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të martën ishte planifikuar të dëshmonte dëshmitari i 126-të, por ai nuk ishte në gjendje që të shkojë në Hagë sot.

Si rrjedhojë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë që do të kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sot si rregull do të kishim filluar që të dëgjonim dëshminë e dëshmitarit të Prokurorisë W04747. Sidoqoftë, dëshmitari nuk është në gjendje të vijë sot dhe ZPS-ja do kërkojë që dëshmia e tij të pranohet sipas Rregullës 155”, tha Smith.

Në këtë Rregull, përcaktohet se gjykatësit mund të pranojnë një deklaratë ose transkriptë me shkrim të dëshmitarit, pa u paraqitur dëshmitari në gjykatë, nëse ai është i padisponueshëm.

Parashtrimet e saj, ZPS-ja i bëri në seancë private për publikun.Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit ishin prezent në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili po e ndiqte seancën përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Dëshmitari i fundit në rastin Thaçi dhe të tjerët” nuk paraqitet në asnjë formë

Sot është mbajtur seancë gjyqësore për dëgjimin e dëshmitarit të fundit të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, mirëpo i njëjti nuk është paraqitur në asnjë formë.

Kryetari i Trupit Gjykues Charles Smith bëri të ditur thjesht se nuk ishte e mundshme sigurimi i tij në seancë.

Ndërkohë gjatë 30 minutave seancë sa zgjati kjo e sotmja, Trupi Gjykues vendosi ta pranojë dëshminë e Ismet Tarës të 2019-ës, edhe pse Prokuroria nuk arriti që t’i bëjë pyetje në gjykatë për shkak të refuzimit të Tarës për t’iu përgjigjur ZPS-së.

https://www.rtklive.com/sq/livestream/rtk1/?fbclid=IwY2xjawJYfdRleHRuA2FlbQIxMAABHUfScl38NuREwAyGl4LwFx5n9p2n64We5qI_gX1IIkRHaiS6_s0Rqghkzw_aem_1MYu7UCM-ZzSw8rOvhnblA

Poashtu gjykata ka vendosur se dokumenti për të cilin Tara ka thënë se është përpunuar brenda Prokurorisë, në fakt nuk është vërtetuar të ketë ngjarë ashtu.

---------

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sipas kalendarit, sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.

Në Hagë, sot, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kurse këtë javë pritet që të përfundojë lista me emrat e propozuar për intervistim nga kjo palë.

“Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, ZPS do të përfundojë me dëshmitë e dëshmitarëve në gjykatë këtë javë, ndërsa do ta përfundojë çështjen e saj deri më 15 prill. Numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani dhe atyre të cilave janë pranuar me shkrim, do ta bëjë të ditur kur të jenë të gatshme”, thonë në përgjigjen e ZPS-së.

E pas prokurorisë, radha do t’u vije palëve të tjera. Në një përgjigje për RTK-në, nga Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se pasi prokuroria ta ketë mbyllur çështjen e saj, ekipeve mbrojtëse do t’u jepet mundësia të kërkojnë rrëzimin e ndonjë akuze apo të gjitha akuzave ndaj klientëve të tyre.

“Nëse vendosin të bëjnë kërkesa të tilla, ekipet e mbrojtjes kanë njoftuar se do t'u nevojiten rreth katër javë për t'u përgatitur për këtë. Pasi gjykatësit të kenë vendosur për këto kërkesa, në qoftë se kanë, Mbrojtësi i Viktimave do të fillojë të paraqesë  çështjen e tyre. Gjatë seancave të fundit, Mbrojtësi i Viktimave ka deklaruar se do të dëshironin të paraqisnin tre deri në katër dëshmitarë dhe se do t'u nevojiteshin nga një deri në dy javë për të paraqitur çështjen e tyre. Nëse Trupi Gjykues hedh poshtë plotësisht ose pjesërisht kërkesat e ekipeve mbrojtëse, atyre do t'u jepet kohë për t'u përgatitur për çështjen e tyre përkatëse. Ata kanë deklaruar se do t’u nevojiten rreth 10 javë pune për ta bërë këtë. Pasi të jenë përgatitur, ekipet e mbrojtjes do të fillojnë të paraqesin çështjet e tyre”, thonë nga Specialja.

Sipas Dhomave të Specializuara, është me rëndësi të theksohet se i takon Trupit Gjykues të vendosë për afatet kohore që do t'u jepen palëve për t'u përgatitur për çështjet dhe parashtrimet e tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat