Rutte: Siguria në Ballkan preokupim i madh, prandaj NATO është e pranishme në Kosovë dhe Bosnje
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka vijuar të refuzojë së komentuari marrëveshjet për mbrojtje midis shteteve, së fundmi edhe atë midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Sidoqoftë, ai përmendi rëndësinë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor duke përmendur vetë trupat e NATO-s që ndodhe në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë.
“Sigurisht që stabiliteti dhe situata në Ballkanin Perëndimor janë një preokupim i madh, prandaj NATO është e pranishme si në Kosovë ashtu edhe në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka thënë Rutte sot në konferencë për media.
“Natyrisht, kemi pesë aleatë në rajon – Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kroacia dhe Sllovenia – dhe po punojmë ngushtë së bashku. Por ju lutem kuptoni që, si sekretar i përgjithshëm, duhet të përmbahem që të mos komentoj mbi çdo zhvillim në çdo pjesë të botës, përfshirë Ballkanin Perëndimor”.
“Kjo është një çështje për aleatët që ta vendosin, dhe ekzistojnë shumë marrëveshje dypalëshe dhe tripalëshe midis tyre”.
“E di, për shembull, që Holanda dhe Belgjika po bashkëpunojnë në shumë çështje, dhe sigurisht që kjo është e ndryshme nga ajo për të cilën po flisni. E kuptoj që po adresoni një temë të rëndësishme, por prapëseprapë, mendoj se nuk duhet të komentoj vetë”.
Rutte nuk e komenton marrëveshjen mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë – thotë se nuk ka të bëjë me NATO-n
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot në Bruksel, nuk ka dashur të komentojë marrëveshjen për mbrojtje Kosovë-Shqipëri-Kroaci, si dhe atë midis Serbisë dhe Hungarisë.
Ai në një konferencë për media gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, tha se vendet anëtare të Aleancës Veri-Atlantike janë të përkushtuara sa i përket stabilitetit dhe prezencës së tyre në rajon, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.
“(Marrëveshja) Shqipëri-Kosovë-Kroaci, kjo është jashtë – NATO nuk ka të bëjë me këtë… Por, ju lutemi, kuptoni, se unë si sekretar i përgjithshëm më duhet të përmbahem pak nga komentimi i çfarëdo zhvillimi në çdo pjesë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Iu takon individualisht vendeve aleate të vendosin.
Po ka shumë këso marrëveshje dypalëshe, trepalëshe, për shembull Holanda e Belgjika bashkëpunojnë në shumë gjëra, dhe kuptohet ajo dallon nga ajo që po u adresoheni ju, por mendoj se nuk duhet të adresohem në këtë çështje”, ka thënë Rutte.
Rutte: I kërkova Vuçiqit llogaridhënie për sulmin në Banjskë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë që situata e sigurisë në Kosovë është shumë e rëndësishme për ta, teksa ritheksoi se kanë kërkuar nga serbët të punojnë për llogaridhënie për sulmin në Banjskë.
“Nuk e bëra një lidhje direkte me situatën në Kosovë, sepse mendoj se KFOR-i është i rëndësishëm, forcat e BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë janë të rëndësishme, ato punojnë ngushtë së bashku, prandaj situata e sigurisë në Kosovë është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Rutte në një konferencë për media.
“Duhet të sigurohemi që stabiliteti i arritur që nga viti 1999 të vazhdojë. Sa u përket ngjarjeve në Banjskë dhe sulmit ndaj forcave të NATO-s në vitin 2023, serbët duhet të punojnë për të mbajtur përgjegjësi”.
“Kjo ishte tema e diskutimit tonë me presidentin Vuçiq në telefon, si dhe gjatë darkës që kishim në Bruksel dy javë më parë”, ka thënë Rutte në këtë konferencë për media.