Dështimi i konstituimit të Kuvendit, reagon deputetja e Vetëvendosjes
Kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Dehari tha se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet.
“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.
Pas kësaj ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Në Facebook, ajo ka shkruar se “E dhimbshme kur interesat e ngushta personale, vendosen mbi interesin e përgjithshëm”.
“Të ashtuquajturit institucionalistë, kundër formimit të institucioneve. Votuesi nuk harron”, ka shkruar ajo
Peci: Opozita dhe Lista Serbe pamundësuan konstituimin e Kuvendit
Ish-ministri Faton Peci, tani deputet i zgjedhur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se konstituimin e Kuvendit të Kosovës e pamundësuan Lista Serbe dhe partitë opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Kjo është një rrethanë e re që në aspektin kushtetues dhe ligjor dhe të rregullores së punës së Kuvendit nuk është e paraparë dhe e definuar dhe, rrjedhimisht, kryesuesi i seancës së sotme ka vendosur që për një situatë të tillë të re, t’i drejtohet Presidentes së Kosovës”, tha Peci pas ndërprerjes së seancës.
Peci tha se tani është në diskrecionin e presidentes Vjosa Osmani të kthej një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Pse LDK-ja votoi kundër raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve? – flet Zemaj
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se LDK-ja votoi kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, për shkak se nuk përmban të dhënat e sakta të Komisionit zgjedhor të Republikës së Kosovës
Kjo, për arsye që nuk është shpërndarë me kohë dokumentacioni sa i përket dorëheqjes së kryeministrit.
” Për të siguruar siguri kushtetuese që nuk janë shkelur akti më i lartë juridik i Kosovës, ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë të paraqitur në komision, një letër e dërguar sot nga kryeministri, e cila do të duhej te shpërndahej të gjithë qytetarëve të Republikës po ashtu edhe KQZ-së dhe presidentes në ditën që është bërë publikimi i rezultateve, para certifikimit të zgjedhjeve.
Ne nuk besojmë që ky kryeministër aktual, i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nuk besoj që ky prap nuk do ta shkeli kushtetutën”, tha Zemaj.
Ndërpritet seanca e konstituimit, Dehari: Do t’i drejtohem Presidentes
Ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë raportin e komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Pas pazuës 15-minutëshe, me 52 vota pro, 46 kundër dhe 11 abstenuan, nuk kaloi ky raport.
Kësisoj, Kuvendi shkoi sërish në pauzë dhe pas kësaj pauze, deputeti më i vjetër, Astrit Dehari, e ka ndërprerë seancën.
Ai tha se për këtë çështje do t’i drejtohet deputetes Vjosa Osmani.
Ndërpritet seanca konstituive
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari deklaroi se për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti nuk mori votat e mjaftueshme detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si të veprojmë tutje.
Krasniqi për raportin e komisionit të përkohshëm: S’e votojmë, është në kundërshtim me Kushtetutën
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, është deklaruar pasi që nuk ka kaluar raporti i komisionit të përkohshëm parlamentar për verifikimin e mandateve.
Ai ka thënë se kjo parti s’mund të votojë këtë raport i cili është kundërkushtetues.
‘‘Partia Demokratike e Kosovës nuk mund ta votojë një raport, i cili është në kundërshtim me kushtetutën.
Nëse do të ndodhë ajo që është kërkuar qysh herët, pra dorëheqja nga pozicionet ekzekutive, atëherë mund të ndryshojë situata.’’, ka thënë ai mes tjerash.
Kuvendi nuk e voton raportin e Komisionit për mandate
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Komisioni i përkohshëm para deputetëve paraqiti raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate kanë votuar për raportin. Kundër ishin ata të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
"Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon", tha kryesuesi i seancës.
Kryesuesi i seancës ftoi përfaqësuesit e subjekteve politike që të konsultohen, duke bërë që Kuvendi sërish të shkojë në pauzë.
Formohet komisioni për verifikimin e mandateve
Kuvendi i Kosovës është në pauzë 15-minutëshe, pas nisjes së seancës së konstituimit të Kuvendit.
Seanca po udhëhiqet nga deputeti më i moshuar Avni Dehari dhe më e reja, Sala Jashari.
Me të nisur, Dehari ka bërë thirrje për formimin e Komisionit për verifikim e mandateve. Ky komision mori mbështetjen e të gjithë deputetëve të pranishëm, gjithsej 119.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Artan Abrashin. Partia Demokratike ka propozuar deputetin Përparim Gruda. Lidhja Demokratike e ka propozuar Armend Zemajn. Lista Serbe e ka propozuar Branisllav Nikoliqin. Koalicioni AAK-Nisma ka propozuar Time Kadrijajn. Komunitetet kanë secili përfaqësues.
Fatmir Limaj i fundit, futet i buzëqeshur në sallën e Kuvendit
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka mbërritur i fundit në sallën kryesore të Kuvendit për seancën konstituive.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti u fut paraprakisht në sallë gjithashtu i buzëqeshur.
Ai ka bërë përpjekje intensive dje deri vonë dhe sot herët për ta marrë Nismën e Limajt në një koalicion qeverisës.
Ata të dy me të mbërritur në objektin e Kuvendit pa iu përgjigjur interesimit të gazetarëve nëse tashmë kanë një marrëveshje.
Nis seanca
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka filluar.
Atë po e drejton Avni Dehari dhe Sala Jashari.
Në rend dite është formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Megjithatë, përveç themelimit të komisionit verifikues dhe betimit të deputetëve, mbetet e pa kjartë nëse do të arrihet të zgjidhët kryetari, emrin e të cilit duhet ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje, si parti që ka dal e para në zgjedhje, e për të cilin, kjo parti duhet t’i ketë 61 vota.