Në Gjykatën Themelore të Pejës është mbajtur shqyrtimi fillestar për rastin “Foshnja në lavatriçe”.
Rasti i rëndë ka ndodhur në dhjetor 2022 në spitalin e Pejës ku një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur me çarçafët në lavatriçe.
Të akuzuar në këtë proces janë një gjinekolog dhe një mami, të cilët përballen me akuzën për “dëmtim të kufomës”. Të dy ata në seancën e sotme u deklaruan të pafajshëm.
Pothuajse dy vjet pas ngjarjes së rëndë, familja e foshnjës po kërkon drejtësi dhe kritikon autoritetet për vonesën dhe trajtimin e çështjes.
I akuzuari S.I. u deklarua i pafajshëm në seancën fillestare.
“I pafajshëm”, u deklarua ai.
Edhe e akuzuara E.A është deklaruar e pafajshme.
E.A: Dhe unë absolut nuk deklarohem e fajshme
“Dhe unë absolut nuk deklarohem e fajshme”, ajo.
Aktakuza, e lexuar nga prokurori Argzon Hasi, përshkruan se si është trajtuar në mënyrë joprofesionale trupi i foshnjës së vdekur. Sipas tij, gjinekologu nuk ka ndërmarrë masat e duhura për vendosjen e kufomës në ambientet e posaçme të ruajtjes, duke lejuar që stafi të veprojë pa mbikëqyrje.
Nga ana tjetër, mamia akuzohet se e ka mbështjellë foshnjën me një çarçaf të bardhë dhe e ka vendosur në një hapësirë të papërshtatshme – mbi një frigorifer.
Hasi: Fetusi u hodh në shportë
“I pandehuri S.I. më datë 13.12.2022 rreth orës 19:15 në Spitalin Rajonal në Pejë, saktësisht në repartin e gjinekologjisë obstetrike, gjinekolog... duke mos iu përmbajtur parimeve etike dhe në mënyrë joprofesionale, në atë mënyrë nuk kujdeset që frytin e lindur të vdekur të vendosur në dhomë ku janë frigoriferët, të cilën përdoren për vendosjen e placentave, por duke mos ushtruar mbikëqyrje të nevojshme te stafi, i cili pa autorizim fetusin – frytin e vdekur e fsheh, duke e vendosur në hapësirë të papërshtatshme të repartit mbi frigorifer të mbështjellë me çarçaf të bardhë, ku qëndron nga ora 19:15 deri në ora 07:00 të datës 14.12.2022, i cili më pas pa dijeni është marrë nga punëtorët teknikë, e që fetusin e mbështjellë e ka hedhur në shportën, të cilën bartën çarçafët e papastër për t’i dërguar në lavanderi... Ndërsa e pandehura E.A më datë 13.12.2022 rreth orës 19:15 në Spitalin Rajonal në Pejë, e pandehura si mami, infermiere...ushtron kujdesin shëndetësor duke mos u përmbajtur parimeve etike dhe profesionale. Në atë mënyrë që frytin e lindur të vdekur me operacion nga placenta duke vendos në dhomën ku janë frigoriferët, të cilët përdorën për vendosjen e placentave, por pa autorizim fetusi, frytin e vdekur e fsheh duke e vendosur në hapësira të papërshtatshme”, ka thënë ai.
Isa Avdija, gjyshi i foshnjës së lindur të vdekur, akuzoi stafin e spitalit se kanë tentuar ta fshehin rastin. Ai tregoi se familjarët kanë pritur për më shumë se një orë pa asnjë sqarim nga mjekët, ndërsa trupi i pajetë i foshnjës ishte lënë në tavolinë, i mbështjellë në një qese.
Avdija: Kemi pritur mjekët mbi një orë, foshnja e pajetë ka mbetur në tavolinë
“Kemi pritur një orë e kusur që të vijnë (mjekët), foshnja pra kufoma ka mbetur në tavolinë në qese, nuk është marrë askush me të. Kur ka ardhur policia, kanë thanë mos i thirrni policinë, se e rregullojmë këtë punë. Më kanë thanë, hajde në ora 12, e keni foshnjën e gatshme, qysh të shkojmë në ora 12 kur ata nuk e kanë ditur ku është kufoma?”, u shpreh ai.
Avokatja e palës së dëmtuar, Saranda Keqkolla-Sadiku, kritikoi organet e drejtësisë për zvarritjen dhe neglizhencën në trajtimin e çështjes
Keqkolla-Sadiku: Drejtësia ka neglizhuar rastin
“Nuk jemi të kënaqur nga ana e prokurorisë së shtetit, për faktin se prej kur ka ndodh rasti e deri më tani, është neglizhuar shumë rasti edhe përkundër faktit që ka qenë një rast që i ka tronditur jo vetëm familjarët, por edhe opinionin. Dhe sot kur dëgjohet ky rast tronditen njerëzit, sepse deri te kjo vepër, deri te futja e bebes në lavatriçe kemi ardhur si rezultat se dikush nuk e ka kryer punën qysh duhet”, ka thënë ajo.
Kujtojmë se, rasti ka ndodhur në dhjetor të vitit 2022. Denoncimi mbi rastin e kanë bërë familjarët. Për rrjedhojë, janë pezulluar nga detyra shtatë punonjës të spitalit.