Të akuzuarit për sulmin në Banjskë deklarohen të pafajshëm

Aktuale

Të akuzuarit për sulmin në Banjskë deklarohen të pafajshëm

Më: 17 prill 2025 Në ora: 10:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 17 prill ka nisur seanca e parë për rastin e sulmit në Banjskë, kundër Vlladimir Tolliqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit.

Tre të akuzuarit u deklaruan sërish të pafajshëm, njëjtë si në shqyrtimin fillestar të këtij rasti më 9 tetor të vitit të kaluar.

Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati.

Në fillim të seancës së sotshme, trupi gjykues vendosi ta largojë nga salla njërin nga hetuesit e rastit, Jeton Jetullahun, pasi u tha se ai mund të thirret më vonë si dëshmitar i rastit, raporton Betimi për Drejtësi.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat