Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se kanë përgatitur një kërkesë për vlerësim ku do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimeve të marra së fundi në Kuvendin e Kosovës lidhur me seancat konstituive, raporton KosovaPress.
Para gazetarëve, Haradinaj tha se sot do të konsultohen me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për t’u bërë 10 deputetë në dërgimin e kësaj kërkese.
“Nuk e di në cilin format mund ta ftojë presidentja. Mund t’i ftojë një nga një, mund t’i ftoj të gjithë bashkë. Ne kemi mirëpritur edhe idenë e kryetarit Abdixhiku për konsulta për formimin e qeverisë. Një propozim ka qenë për një qeveri të unitetit. Ekziston edhe propozimi ynë për qeverinë e opozitës. Konsultat mes opozitës janë të nevojshme. Edhe konsultat me bashkë kryesuesin janë të nevojshme që të dalim nga gjendja ku jemi. Ne veç kemi përgatitur një kërkesë për vlerësim. Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që ta vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimeve të marra në kuvend. Sot jemi në konsulta edhe me PDK dhe LDK në mënyrë që 10 deputetë t’i drejtohemi gjykatës”, tha Haradinaj.
Haradinaj u pyet për mospjesëmarrjen e tij në kohën e votimit në disa seanca konstituive. Ai tha se ka shkuar çdo herë me kohë, porse kur ka kuptuar se procesi të vazhdojë njëjtë, ka vlerësuar se “duhet lëshuar”.
“Unë kam ardhur çdo herë në kohë, së pari. Pastaj kur kam marrë vesh që nuk do të ketë ndonjë zhvillim të ri në seancë. Kemi ardhur vetëm për përsëritjen, kam ardhur me idenë që mund të kemi një kandidaturë unifikuese një proces të ri. Kur e kam marrë vesh që do të qëndrojmë në seancë veç të përsëritet, nuk e kam vlerësuar të nevojshme. Edhe sot kujtojmë vëllezërit Muslija, Beqiraj janë tre dëshmorë të një familje, them të drejtën më ka kërkuar puna të shkoj atje. I kam pasur bashkëluftëtarë. Unë do të marr pjesë në seancë por nëse është vetëm përsëritje, do të jetë i pavlefshëm”, tha Hardinaj.
Deputetët do të tentojnë edhe sot ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës në një seancë e cila pritet të nis në ora 10:00.
Ata të mërkurën kanë dështuar të konstituojnë Kuvendin në përpjekjen e 12-të. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i LVV-së, sërish insistoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të ndodh përmes votimit të fshehtë.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill dhe procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit pasi LVV-ja, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kandidaten e tyre, Albulena Haxhiun.