Kurti me mesazh për opozitën: S’ka krizë institucionale e politike, Haxhiu mbetet kandidatja jonë

Aktuale

Kurti me mesazh për opozitën: S’ka krizë institucionale e politike, Haxhiu mbetet kandidatja jonë

Më: 10 maj 2025 Në ora: 11:55 Përditësuar në ora: 13:28 më 10.05.2025
Albin Kurti

Kurti: Kuvendi duhet të konstituohet nga të gjitha partitë, Haxhiu mbetet kandidatja jonë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të shtunën se nuk do ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me gjithë mungesën e votave, duke thënë se emërimi i kryeparlamentarit dhe formimi i Kuvendit të ri është detyrë e të gjitha partive parlamentare.

“Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pavarësisht se a është ai fitues absolut apo relativ, Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë; nga vendi i parë së bashku me vendin e dytë, tretë dhe pakicat serbe dhe joserbe”, tha Kurti të shtunën duke folur në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar trembëdhjetë herë radhazi deri tani ta konstituojnë Kuvendin e ri.

Kosova ende pa Kuvend të ri

Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme për të qeverisur e vetme.

Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.

Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.

Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.

Por, Kurti – një ditë para seancës së radhës të dielën - e përsëriti se Vetëvendosje nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut.

“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu, ndërsa të tjerët lë ta propozojnë kandidatin e tyre kur t’u takon atyre. Neve si fitues të zgjedhjeve na takon pozita e kryetarit”, tha Kurti.

Haxhiu dështoi në gjashtë seanca t’i merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës – që vjen nga Vetëvendosje – propozoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.

Tre muaj nga zgjedhjet, Kosova akoma pa institucione të reja

Kurti i kritikoi partitë parlamentare – PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe – që nuk po marrin pjesë në votim, duke e bërë të pamundur formimin e komisionit.

“Ne nuk kemi bllokuar, sepse ne e kemi propozuar kandidatin tonë. Sikur mos ta bënin, do të ishim bllokues. Ne nuk kemi bllokuar, sepse kemi votuar për, bllokues janë ata që votojnë kundër ose nuk votojnë fare për ta pamundësuar kuorumin”, shtoi Kurti.

“Nuk ka krizë institucionale apo politike në Kosovë”

Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, tha për Radion Evropa e Lirë se kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike.

Ai theksoi se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

“Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme”, tha Visoka.

Por, Kurti - kryeministër në detyrë - i hodhi poshtë këto vlerësime, duke thënë se Kosova ka institucione funksionale.

“Në Kosovë nuk kemi krizë institucionale e as politike, Në Kosovë kemi njëfarë vakumi kushtetues. Nuk kemi krizë sepse mekanizmat dhe institucionet e shtetit funksionojnë”, tha Kurti.

“Kosova ka Qeveri, ka kryeministër dhe ka ministra në detyrë, por Kosova nuk ka Kuvend. Nuk mund të ketë Qeveri të re pa Kuvend të ri”, shtoi ai.

Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.

LDK-ja, e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse, e ka hedhur poshtë ofertën e Vetëvendosjes për koalicion qeverisës.

Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

Derisa Vetëvendosje e ka kundërshtuar menjëherë idenë e një qeveri të tillë, partitë e tjera parlamentare kanë shprehur vullnet për të biseduar.

Kurti e përsëri të shtunën qëndrimin e partisë së tij, duke thënë se "ne duam qeveri funsionale jo tranzitore".

Rënia në indeksin e lirisë së medias

Kurti i hodhi poshtë gjetjet në raportin vjetor për lirinë e shtypit në Kosovë të organizatës Reporterët pa Kufij, duke thënë se në Kosovë nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, dhe u bëri thirrje mediave të “reformohen dhe përmirësohen”.

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

“Është për keqardhje rënia e thellë në indeksin e medias. Në Kosovë ka liri të shprehjes dhe liri të mediave, jam dëshmitar i kësaj nga përvoja dhe jeta këtu”, tha Kurti.

Ai tha se Qeveria e tij gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar e “ka ndalur financimin e mediave për të mos ndikuar në to, dhe nuk kemi asnjë pronar mediash në qeveri për të mos kontrolluar ato”.

“Në Kosovë mediat janë të lira, gjendja ku kanë rënë ato është jo si pasojë e ndikimit të Qeverisë, por e kontrollit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizimit. Përgjegjësia është e mediave, u takon atyre të reformohen, që do të thotë të duan të reformohen dhe të përmirësohen, që do të thotë të duan të përmirësohen”, tha ai.

Kurti flet për gjendjen e mediave

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti u shpreh i bindur se në Kosovë ka liri të shprehjes dhe të mediave.

Sipas tij, rënia e lirisë së mediave në “Reporterët Pa Kufij” duhet të përmirësohet nga vetë mediat dike punuar me profesionalizëm.

Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, tha se LVV-ja e ka hequr politikën dhe pushtetin nga mediat.

Siç tha ai, para se LVV-ja të ishte në pushtet, pushteti dhe media ishin së bashku.

Kurti: Qeveria ka hequr politikën dhe pushtetin nga mediat

“Është për keqardhje rënia e thellë në indeksin e Reporterët Pa Kufij. Në Kosovë, jam i bindur nga jetesa e përvoja e përditshme që në Kosovë ka liri të shprehjes dhe të mediave. Në raportin e pulsit publik të UNDP-së, krahasuar me vitin 2021, qytetarët e Kosovës besojnë se liria e shprehjes dhe liri e shprehjes së mediave është rritur në 12 përqind. ...Ky është indeksi që duhet ta përmirësojnë mediat. Ajo që Qeveria ka bërë e ka hequr politikën dhe pushtetin nga mediat. Para nesh pushteti në media ishin së bashku, madje edhe në festa e pushime. Ne e hequr financimin e pushtetit ndaj medias për të mos ndikuar në to”, tha Kurti.

Sipas tij, në Kosovë mediat janë të lira por megjithatë tha se janë të gatshëm për investime në përgjithësi por jo financime në veçanti te ndonjë media.

Kurti:Gjendja ku kanë rënë mediat është jo pasojë e ndikimit të Qeverisë

“Gjendja ku kanë rënë edhe në rënie të besimit në publik, është jo pasojë e ndikimit të Qeverisë por e kontrollit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizmit... ne mund ta zbatojmë lehtë si Qeveri profesionalizmin, të gjitha trajnimet që janë të nevojshme, të gjitha mësimet e shkollimet e larta që janë pjesë e dezinformimit, të informimit profesional ne jemi të gatshëm të financojmë por nuk krijojmë marrëdhënie të drejtpërdrejt me media të caktuara e emra të përveshëm gazetarësh, redaktorësh, pronarësh apo kryeredaktorësh”, tha ai.

Kurti: Duam qeveri normale, jo tranzitore

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur për herë të parë mbi zhvillimet politike dhe ngërçin në Kuvend pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të shtunën, Kurti e ka refuzuar idenë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për qeveri tranzicionale, por ka thënë se është i interesuar për qeveri normale.

Për këtë, siç thotë Kurti, i dërgoi edhe një ftesë të dytë kryetarit të LDK-së me mendimin se tash pas reformave, koalicioni me LVV-në do të ishte më i lehtë.

“Për ta ndihmuar daljen nga kjo bllokadë siç e dini i ftova kryetarët e partive PDK-së e LDK-së, por ky i dyti refuzoi të vijë, ndonëse disa deputetë të LDK-së thanë se duhet të ketë marrëveshje politike. Për këtë e shkrova edhe një letër tjetër për koalicion LVV-LDK, por edhe ajo u refuzua. LDK më 2020 bëri koalicion me ne, tash pas reformave do të duhej ta kishte më të lehtë. Ndoshta rruga e re ka preferenca tjera. Ne duam qeveri normale jo të përkohshme e as të tranzicionit e as të opozitës. Dorën në zemër ky togfjalëshi është paradoksal, sepse opozita është opozitë se duhet të jete opozitë e qeverisë”, ka thënë Kurti.

Për moskonstituimin e Kuvendit për të 13-tën herë, Kurti ka këmbëngulur se nuk ka krizë institucionale, por vakum kushtetues. Sipas tij, institucionet tjera funksionojnë normalisht dhe vetëm Kuvendi i ri nuk është konstituuar, për shkak se Kushtetuta nuk parashikon qartë çfarë ndodh kur kandidati për kryetar nuk merr 61 vota.

“Kuvendi nuk konstituohet nga fituesi, qoftë ai absolut apo relativ. Por meqë jemi fitues, na takon pozita e kryetarit. Kuvendi është përgjegjësi e të gjithëve”, deklaroi Kurti.

Ai theksoi se partia e tij nuk ka bllokuar procesin, pasi ka propozuar kandidaten Albulena Haxhiu dhe ka votuar për të. Sipas Kurtit, disa deputetë opozitarë që më herët votonin kundër propozimit të VV-së, tani po bojkotojnë votimin krejtësisht për të penguar votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit.

“Bllokimi vjen nga ata që votojnë kundër apo bojkotojnë votimin. Ne nuk jemi bllokues, por votues. Të tjerët le t’i ruajnë propozimet e tyre për kur t’ju vijë radha – ne do t’i respektojmë ato”, shtoi ai.

Kurti tutje u shpreh se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet, edhe nëse ato përsëriten – përveç se mund ta rrisin Vetëvendosjen.

“Zgjedhjet mund të përsëriten, por rezultati jo vetëm që mund të ripërsëritet, por edhe të thellohet për Vetëvendosjen”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se “se të gjitha organizimet për zgjedhjet e 9 shkurtit janë bërë nëpër komuna, ndërsa në deklaratën e tij thumboi edhe subjektet tjera politike”.

“Të nderuar delegatë, për këtë fitore të LVV-së, e që është fitore e popullit, është bërë shumë punë. Gjithë organizimet janë bërë nëpër komuna. Pa përdorur autobusë, e transportime të njerëzve nga qyteti në qytet, pa manipulime pa mashtrime”, ka potencuar Kurti.

Kurti ka folur edhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke thënë se reformat duhet të ndodhin edhe nëpër komuna, njëjtë si në nivelin qendror.

“Komunat ku udhëheq LVV, janë shembull se si duhet qeverisur”, tha ai.

Kurti: Zgjedhjet mund t’i përsërisim, por edhe rezultati mund të thellohet në favor të LVV-së

Lëvizja Vetëvendosje është duke mbajtur mbledhjen e 58-të të Këshillit të Përgjithshëm.

Kryeministri në detyrë, njëherazi kryetar i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se është hera e tretë që dalin të parët në zgjedhje.

Ai falënderoi të gjithë anëtarët dhe qytetarët për besimin e dhënë.

“Është hera e tretë që dalim të parët pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, atyre të 2021, pa dyshim fitore e madhe. E gjithë kjo pas një qeverisje të suksesshme. Nuk i kemi borxh, asnjë emri të përveçëm. I kemi gjithçka borxh popullit. Jemi falënderues gjithnjë popullit, për kulturën, besimin dhe vullnetin e treguar”, është shprehur Kurti.

Në fjalimin e tij, Kurti tha se të gjitha organizimet për zgjedhjet e 9 shkurtit janë bërë nëpër komuna, ndërsa në deklaratën e tij thumboi edhe subjektet tjera politike.

“Të nderuar delegatë, për këtë fitore të LVV-së, e që është fitore e popullit, është bërë shumë punë. Gjithë organizimet janë bërë nëpër komuna. Pa përdorur autobusë, e transportime të njerëzve nga qyteti në qytet, pa manipulime pa mashtrime”, ka potencuar Kurti.

Kurti ka folur edhe për përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke thënë se reformat duhet të ndodhin edhe nëpër komuna, njëjtë si në nivelin qendror.

“Komunat ku udhëheq LVV, janë shembull se si duhet qeverisur”, tha ai.

Kurti foli edhe për konsitutimin e Kuvendit, që ka mbetur duke u zvarritur tash disa ditë.

“Institucionet janë funksionale, organet e drejtësisë po veprojnë dhe ligjet po respektohen. E vetmja pengesë është se Kuvendi i ri ende nuk është konstituar, pasi Kushtetuta e Kosovës nuk parashikon se çfarë duhet bërë në rast se një kandidat për kryetar të Kuvendit nuk i siguron votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Institucionet janë funksionale, organet e drejtësisë po veprojnë dhe ligjet po respektohen”, pohoi Kurti.

Ai tha se Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pa marrë parasysh a është absolut apo relativ, duke shtuar se Kuvendi duhet të themelohet nga të gjithë.

“Ne nuk kemi bllokuar, ne kemi propozuar kandidaten tonë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër ose nuk votojnë. Ne nuk jemi bllokues, jemi propozues dhe propozuesja jonë është Albulena Haxhiu. Të tjerët le t’i ruajnë propozimet e tyre”, theksoi ai.

Kurti tha se mund të shkojnë edhe në zgjedhje, por që rezultati mund të thellohet në favor të partisë së tij.

Kurti mesazh për opozitën: S’ka krizë institucionale e politike

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se në Kosovë nuk ka krizë institucionale e as politike. Ai potencoi se ka një vakum kushtetues, të cilin sipas tij, nuk do të duhej ta kishim marrë vesh fare.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, Kurti tha se LVV-ja nuk ka bllokuar konstituimin e kuvendit, sepse kanë propozuar kandidatin për kryetar të kuvendit.

Sipas tij, bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër ose nuk votojnë fare.

Ai theksoi se propozimi i tyre është Albulena Haxhiu, për çka thotë se “të tjerët t’i ruajnë propozimet e tyre kur t’iu vijë radha atyre.

Kurti tha se zgjedhjet edhe mund të përsëriten, porse rezultati mund të thellohet në favor të Lëvizjes Vetëvendosje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat