Sveçla: Po i japim fund strukturave paralele – pronat publike po i kthehen komunave të Kosovës

Aktuale

Sveçla: Po i japim fund strukturave paralele – pronat publike po i kthehen komunave të Kosovës

Nga: A.SH Më: 14 maj 2025 Në ora: 17:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se hapësirat publike që për dekada janë uzurpuar nga strukturat paralele të Serbisë, po rikthehen nën kontrollin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në një njoftim zyrtar, Sveçla theksoi se në vazhdën e mbylljes së çdo forme të paralelizmit institucional, komuna e Mitrovicës së Veriut ka rimarrë në pronësi një objekt të rëndësishëm, që më parë përdorej nga të ashtuquajturat struktura serbe si “Zyra për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara”.

Postimi i plotë:

Hapësirat publike të uzurpuara prej dekadash nga strukturat paralele të Serbisë po kthehen në shfrytëzim të komunave dhe institucioneve tona, të Republikës së Kosovës.

Në vazhdën e mbylljes së secilit paralelizëm institucional sot u kthye në pronësi të komunës së Mitrovicës së Veriut objekti i cili deri tash ishte shfrytëzuar nga strukturat paralele, përkatësisht nga e ashtuquajtura Zyrë për Sport, Rini dhe Shërbime të Specializuara. Po ashtu, në një aksion ngjashëm është zhvilluar te stacioni i pompave të ujit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës së Veriut.

Epoka e tolerimit të zhvillimit të paralelizmave përballë institucioneve tona ka perënduar dhe nuk kthehet më.

Në çdo cep të Republikës sonë ka rend e ligj dhe institucione që janë në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat