Sot është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e Ujit në Zubin Potok, nën ndërhyrjen e Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja Artane Rizvanolli, e cila theksoi se ky veprim është hap i rëndësishëm në garantimin e sigurisë dhe shëndetit publik për qytetarët në komunat veriore të Kosovës.
Postimi i plotë:
Sot është ndërprerë veprimtaria ilegale e strukturave paralele në Fabrikën e ujit në Zubin Potok, me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.
Kjo fabrikë e ujit është aset kritik për furnizim të sigurt me ujë për mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës në komunat veriore. Andaj, marrja nën kontroll e këtij aseti është çështje e sigurisë, e shëndetit publik dhe e shtrirjes së kontrollit institucional.
Tash e tutje, KRU Mitrovica do të sigurohet që ky sistem jetik të funksionojë sipas standardeve ligjore dhe teknike të Republikës së Kosovës.
Furnizimi me ujë nuk mund të jetë mjet presioni politik apo kontrolli nga jashtë. Është një e drejtë bazike e qytetarëve tanë, dhe përgjegjësi e institucioneve tona publike që ajo të realizohet në mënyrë të sigurt dhe të barabartë për të gjithë.
Falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe falënderoj KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t'u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.