Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit Gavrilo Milosavleviq, gjykata aprovoi dy video-incizime që u paraqitën nga Prokuroria Speciale si prova materiale, kurse refuzoi ta pranojë në prova kallëzimin penal të përpiluar nga Nait Hasani.
Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.
Video-incizimet e paraqitura nga Prokuroria në këtë rast, tregojnë lokacionet brenda Burgut, duke përfshirë fushën sportive, pavijonet, ambulancën, palestrën dhe objekte të tjera ku kanë ndodhur ngjarjet e luftës.
Mbrojtja e të akuzuarit, e përfaqësuar nga avokatët Nebojsha Vlajiq dhe Dejan Vasiq, kundërshtuan videot e paraqitura, duke pretenduar se personi i panjohur në video nuk mund të dëshmojë përmes incizimeve, pasi nuk ka qenë i disponueshëm për hetim.
Prokurori Kastriot Memaj tha se autori i videos është Besnik Zogaj, dëshmitar i cili tashmë është marrë në pyetje nga Gjykata si dëshmitar okular, dhe se mbrojtja ka pasur mundësinë ta intervistojë hollësisht.
Në këtë çështje, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Vesel Ismaili ka pranuar incizimet e paraqitura si prova.
Përveç kësaj, është lexuar lista e provave të propozuara nga aktakuza, duke përfshirë deklaratat e dëshmitarëve, raportet e policisë dhe shërbimeve forenzike, listat e të burgosurve dhe dy CD-të me incizime.
Mbrojtja ka propozuar futjen e librit ushtarak të Milosavleviqit si provë për periudhën e pjesëmarrjes së tij në luftë, të cilin Gjykata gjithashtu e ka pranuar.
Gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për përfshirjen e kallëzimit penal të përpiluar nga dëshmitari Nait Hasani si provë, duke theksuar se në atë kallëzim nuk përmendet emri i Gavrilo Milosavljeviqit dhe se nuk është relevant për këtë proces.
Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023, thuhet se Gavrilo Milosavlevq në cilësi të zyrtarit në Burgun e Dubravës në bashkëkryerje me persona të tjerë kishte aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzor ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në bashkëkryerje me njësitë policore serbe, Milosavleviq kishin kryer vrasjen masive të të burgosurve shqiptarë, me ç’rast në ditën e incidentit kishin urdhëruar që në oborrin e burgut të dalin 1 mijë të burgosur të vendi i quajtur “Fusha e Sportit”, me pretekstin se do t’i numëronin të burgosurit dhe do t’i dërgonin në ndonjë vend tjetër më të sigurt për t’i mbrojtur të burgosurit nga bombardimet e NATO-s.
Tutje, në aktakuzë thuhet se menjëherë pas rreshtimit të të burgosurve, ushtarakët serbë kishin gjuajtur në drejtim të të burgosurve me mitraloz, mortajë dhe armë të tjera dhe se ky operacion i vrasjes i cili kishte filluar nga 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, ku si rezultat i këtyre sulmeve kishin mbetur të vrarë 109 të burgosur.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Milosavleviq në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarak serbë, kishin shkuar thuajse çdo ditë nëpër pavijonet e Burgut të Dubravës, konkretisht në pavionin “B” dhe “C”, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë.
Në aktakuzë përmendet se si disa roje kishin shkuar edhe në qelinë ku ishte i vendosur edhe Ukshin Hoti, Gani Baliu, Skender Gashi, Mehmet Memqaj, dhe Shkelqim Zllanoga, ku të njëjtëve u kishin fikur dritat fillimisht dhe pastaj ju kishin drejtuar me fjalët Ukshin Hotit “ Profesor sherri juaj po na ndodhin bombardimet e NATO-s”, duke e ofenduar dhe sharë gjatë gjithë kohës, sa që në një moment thuhet se rojet kishin kapur për fyti Shkelqim Zllanogën ku thuajse ia kishin ndalur frymëmarrjen.
Për këto veprime i akuzuari Milosavleviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsi civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje ” LP i RSFJ-së “) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.