Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se ka insistuar që të votohet Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Berisha ka thënë se qytetarët duhet të shohin se pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe vet ky subjekt politik, sipas tij, nuk janë për të drejtuar vendin.
Ai tha se më keq se Haxhiu po të propozohen për kryetare të Kuvendit janë propozimet që i ka bërë vet Grupi Parlamentar i AAK-së për kryetare të Kuvendit nga VV, Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi.
“Unë kam insistuar që ta votojnë ose hiç të mos e ndërrojnë, sepse Albulena Haxhiu bile i përfaqëson më denjësisht. Populli ka nevojë të kuptojë se kush janë këta njerëz, këta nuk bënë me udhëheq, por nuk qenka Albulena ose vjen dikush që nga propozimi i Grupit tonë Parlamentar, por njëjtë si Albulena janë ata”, tha Berisha për Klan Kosova.
“Bile kjo Albulena e respektoj sepse kjo nuk ka lënë gjë për të ardhur në pushtet, këto dyja që i kemi përmendur janë marioneta të Dejona Mihalit”, ka thënë ai.
Deputeti i AAK-së ka thënë se nuk pati pritshmëri për gjetjen e një zgjidhjeje për të larguar vendin nga situata e tanishme mosformimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka theksuar se edhe liderët e partive politike ishin deklaruar para takimit se nuk presin të ketë ndonjë rezultat.
“Të them të drejtën nuk kam pritur se do të ketë një rezultat nga takimi i sotëm që pati presidentja Vjosa Osmani me liderët e partive politike. Aty ishin liderët e partive politike, presidentja nuk ka mundësi as të ndikojë pozitivisht dhe as negativisht”.
“Do të themi nuk kemi pritur. Edhe partitë politike janë deklaruar para atij takimi se nuk do të ketë ndonjë rezultat”, ka thënë Berisha.