Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet ta konsiderojë në mënyrë serioze arritjen e një koalicioni për të krijuar qeverinë e re.
Kështu ka thënë Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, politikani estonez, Riho Terras, kur është pyetur për krizën politike ku gjendet Kosova.
Ai është shprehur se vende të mëdha si Gjermania e Austria e kanë dëshmuar që koalicionet qeverisëse janë të mundshme.
“E di që është e vështirë, por e kemi parë në Gjermani që një koalicion i madh është i mundur. E kemi parë edhe në vende të tjera, si Austria. Kështu që mendoj që për hir të progresit. Nuk mendoj që zgjedhjet e reja do të jenë zgjidhja më e mirë për të zgjidhur problemin, sepse me gjasë nuk do ta zgjidhin problemin”, ka potencuar Terras.
Raportuesi për Kosovën thotë se bazat e proceseve demokratike janë negociatat dhe gjetja e një kompromisi, dhe se preferon më shumë arritjen e një koalicioni sesa shkuarjen në zgjedhje të reja.
I pyetur për insistimin e Kurit në kandidaturën e Albulena Haxhiut ndonëse nuk po i siguron votat në më shumë se dhjetë seanca radhazi, Terras thotë se kompromisi është baza e politikës dhe çdo kush që nuk arrin të bëjë shumicën duhet të heq dorë nga disa gjëra.
“Unë sugjeroj kompromisin, por megjithatë nuk dua të përzihem në politikë”, ka shtuar Terras.