​LVV s’heq dorë nga kandidatura e Haxhiut: Nuk mund t’i nënshtrohemi dëshirave të opozitës

Aktuale

​LVV s’heq dorë nga kandidatura e Haxhiut: Nuk mund t’i nënshtrohemi dëshirave të opozitës

Më: 19 maj 2025 Në ora: 12:21
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka akuzuar partitë e tjera në Kuvend se me votën e tyre kundër po bllokojnë konstituimin e legjislaturës së nëntë të legjislativit.

Pas dështimit për herë të tetëmbëdhjetë të zgjedhjes së trupave të Kuvendit, Basha para mediave tha se “LVV-ja po tregohet konstruktive duke tentuar të zgjidh krizën politike në vend”, mirëpo, sipas tij, nuk mund të ia “plotësojnë dëshirat PDK-së, LDK-së dhe AAK-së që pa ndonjë arsye të shëndoshë të tërhiqen nga kandidatura e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare”.

“LDK-ja del thotë ne nuk votojmë asnjë kandidat. LDK-ja është komplet përgjegjëse për bllokimin. PDK-ja thotë ne nuk votojmë asnjë kandidat që ka qenë pjesë e qeverisë. AAK-ja thotë ne kemi një propozim tonin. Propozimi na takon neve dhe derisa dikush nuk ka asnjë arsye të shëndosh që del e kundërshton zonjën Haxhiu, atëherë ne nuk mundemi me iu nënshtruar dëshirave të opozitës. Bllokimi vjen prej tyre dhe nuk është përgjegjësi e jona me i plotësu dëshirat atyre”, tha ai.

Ai argumentoi edhe nevojën që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet me formë të fshehtë.

Sipas tij, në këtë formë mund të jepet mundësia disa deputetëve nga partitë të tjera parlamentare të votojnë për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare.

“Të hapur e kemi provuar para qytetarëve dhe kanë thënë jo. Të fshehtë ka diskutime mes deputetëve, që mendoj se deputetë të PDK-së dhe LDK-së mendojnë se këta janë futur në një udhë pa krye. Ju e dini te verifikimi i mandatit pasi nuk votuan dhe i ranë pishman dhe ndryshuan. Këtyre po i vjen marre tash me dal se dy herë janë gabim. Votimi i fshehtë është mundësi dhe disa deputetë i japin mundësi dhe votojnë për Albulenën”, shtoi Basha.

Përkitazi me këtë, deputeti Basha i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese që t’i kthejë sa më shpejt përgjigje kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së ndryshimit të formës së votimit nga e hapur në të fshehtë.

“Uroj që Gjykata Kushtetuese marrë parasysh rëndësinë e situatës ku jemi t’i jep sa më shpejt përgjigje kërkesën së AAK-së por edhe kërkesës sonë që kemi bërë për votat e vjedhura nga LDK-ja”, theksoi Basha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat