KMDLNj dënon ashpër kërcënimin me jetë të presidentes Osmani: Policia të veprojë me urgjencë

Aktuale

KMDLNj dënon ashpër kërcënimin me jetë të presidentes Osmani: Policia të veprojë me urgjencë

Më: 20 maj 2025 Në ora: 14:20
Foto ilustrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka reaguar ndaj kërcënimeve me jetë që i janë drejtuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani përmes postës elektronike.

Në reagimin e KMDLNj-së thuhet se kërcënimet, ndonëse me përmbajtje të paqartë, “nuk ndërlidhen me detyrimet kushtetuese që i ka presidentja”, duke lënë të nënkuptohet se motivet e mundshme mund të jenë politike.

Organizata e të drejtave të njeriut ngre alarmin për një trend në rritje të përdorimit të kërcënimeve si mjet politik.

“Kohëve të fundit, shkaku i një eskalimi të raporteve ndërpartiake, është sforcuar kërcënimi si mjet për arritjen e qëllimeve politike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj thekson se përveç figurave politike dhe publike, “cak i vazhdueshëm i sulmeve dhe kërcënimeve janë gazetarët”, ndërkohë që dënimet për këto raste vazhdojnë të jenë “thuaja simbolike”.

Në deklaratën e saj, KMDLNj e dënon fuqishëm aktin ndaj Presidentes Osmani dhe bën thirrje për hetim të menjëhershëm.

KMDLNj e dënon kërcënimin ndaj Presidentes Osmani dhe kërkon nga Policia që ta trajtojë këtë dhe rastet e ngjashme me urgjencë, në mënyrë që të parandalojnë pasoja më të rënda. Policia e Kosovës ka kapacitet të mjaftueshëm profesional dhe përvojë të suksesshme në trajtimin e këtyre rasteve, andaj pritet që kërcënuesi të arrestohet shpejt dhe të japë përgjegjësi para ligjit”, thuhet në fund të reagimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat