Autobusi i kompanisë “Pravenra Travel” ka marrë flakë në qytetin e Dortmundit në Gjermani.
Fatmirësisht autobusi nuk kishte qenë me udhëtar, dhe nuk ka pasur pasoja në njerëz pas përfshirjes nga flakët.
Pronari i kompanisë në një prononcim ka bërë të ditur se autobusi ka marrë flakë pas daljes nga servisi ku ishte dërguar për një rregullim teknik.
“Rasti ka ndodhur dje pasdite diku pas orës 17:00, autobusi ka qenë në servis në Dortumund dhe duke u kthyer nga servisi si pasojë e një gabimi teknik të servisit ka punu diçka me rrymë dhe autobusi 10 km pas largimit nga servisi ka marrë flak”, ka deklaruar pronari i kompanisë “Pranvera Travel”.
Ai shtoi se në momentin e djegies së autobusit brenda ka qenë vetëm shoferi, por i njëjti ka shpëtuar pa ndonjë lëndim.
“Vetëm shoferi ka qenë , autobusi ka filluar të digjet nga pjesa e mbrapa, shoferi ka dalë jashtë kanë arritur zjarrfikësit e kanë shuar flakën”, u shpreh tutje pronari i kompanisë.
Pronari i kompanisë “Pranvera Travel” më tej bëri të ditur se do të padisin servisin për shkak të neglizhencës.
“Jemi me avokatët dhe do të padisim servisin për neglizhencën që e ka bërë. Kemi dëme të mëdha materiale, autobusi afërsisht ka pas vlerë 140 mijë euro. Për ne është e rëndësishme që nuk ka pasur të lënduar”, u shpreh ai.