Pas refuzimit për lirim nga Specialja, nipi i Krasniqit: Po përgatitet dënimi i krerëve të UÇK-së

Aktuale

Pas refuzimit për lirim nga Specialja, nipi i Krasniqit: Po përgatitet dënimi i krerëve të UÇK-së

Më: 21 maj 2025 Në ora: 19:55
Altin Krasniqi, Jakup Krasniqi

Trupi Gjykues në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kërkesat ishin dorëzuar më 3 dhe 4 prill 2025, pas përfundimit të dëgjimit të gjithë dëshmitarëve të Prokurorisë.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar nipi i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, i cili u shpreh se ky vendim është tregues se Gjykata Speciale do t’i dënojë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Refuzimi nga Paneli Gjyqësor është indikator dhe shenjë e qartë se Gjykata Speciale, kundër krejt ligjeve dhe konventave ndërkombëtare, do t’i dënojë krerët e UÇK-së”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kundërshtojnë këtë gjykatë, duke kërkuar një proces të drejtë, të pavarur dhe sovran.

Postimi i plotë:

ALARM! Krejt vëmendja në Hagë, ju lutem.

Ka plot persona që kanë përcjellur procesin e gjyqit në Hagë, që kanë shpresuar se krerët e UÇK-së mund të lirohen e të mbrohen në liri, pasi Prokuroria të përfundojë dëshmitarët e saj.

Edhe vet e kam pas një troh shpresë!

Refuzimi nga Paneli Gjyqësor është indikator dhe shenjë e qartë se Gjykata Speciale kundër krejt ligjeve dhe konventave ndërkombëtare do t’i dënojë krerët e UÇK-së.

Tani nuk ka më dilema, nuk ka më kalkulime!

Tani është koha që i madh e i vogël, me krejt fuqinë dhe mjetet demokratike, duhet të kundërshtojmë këtë proces politik me të vetmen kërkesë:

Gjyq fer, të pavarur dhe sovran.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat