Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim komandantin e Gardës Kombëtare të shtetit amerikan të Iowas, gjeneralmajor Stephen Osborn, me të cilin diskutoi mbi bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, si dhe planet e thellimit të këtij partneriteti strategjik.
Ajo shprehu mirënjohje dhe vlerësim të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Garda e Iowas i ka dhënë FSK-së në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve operacionale, të cilat u demonstruan me sukses gjatë ushtrimit të përbashkët ndërkombëtar Defender Europe 2025.
"Aleanca me SHBA-të në fushën e mbrojtjes, e fuqizon shtetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës", tha Osmani.
Osmani veçoi faktin se këtë vit, në kuadër të këtij ushtrimi, Kosova pati nderin të mirëpresë Komandën Taktike të Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë Amerikane, dhe se pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Iowas ishin pjesë aktive e forcës së përbashkët që veproi në territorin e Kosovës.
Në takim, Osmani gjithashtu shprehu falënderim të sinqertë dhe vlerësim të thellë për mundësinë që iu dha një kontingjenti të FSK-së për të kryer stërvitje të përbashkëta në Qendrën e Trajnimit për Gatishmëri të Përbashkët në Louisiana, së bashku me pjesëtarët e Gardës së Iowas dhe forcave tjera aleate amerikane.