Sot kremtohet Kurban Bajrami, Kurti shkon në BIK, Tërnava i jep një sugjerim për deputetët

Aktuale

Sot kremtohet Kurban Bajrami, Kurti shkon në BIK, Tërnava i jep një sugjerim për deputetët

Më: 6 qershor 2025 Në ora: 06:17 Përditësuar në ora: 10:35 më 06.06.2025
Naim Tërnava- Albin Kurti

Myftiu - Besnik Bislimit: Ti si po kalon në bisedime atje, ky i përgjigjet “…e kemi gjete nifarë mesi…”

Një delegacion i qeverisë në largim në krye me Albin Kurtin ka shkuar sot në BIK për festën e Kurban Bajramit.

Përveç Kurtit, aty kanë shkuar zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, Besnik Bislimi, Faton Peci, Hajruallu Çeku dhe këshilltari i Kurtit.

Derisa kanë biseduar në prani të kamerave, Tërnava i ka thënë Kurtit” …desha t’i ftojë të gjithë deputetët e parlamentit ta prejmë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon mbarë e mirë. Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, tha Tërnava.

Pak më vonë Tërnava i është drejtuar Besnik Bislimit “ty si po të shkojnë bisedimet atje” duke aluduar në procesin negociator Kosovë -Serbi. Bislimi ka reaguar duke qeshur “e kemi gjetë nifar mesi”, teksa pjesa tjetër e përgjigjes nuk dëgjohet.

Këshilltari i Osmanit viziton Bashkësinë Islame për Kurban Bajram

Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Ismet Krasniqi ka vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës, me rastin e Kurban Bajramit.

Krasniqi përcolli urimet e presidentes Vjosa Osmani për festën, derisa theksoi vlerat e solidaritetit, paqes dhe mirëkuptimit.

Ndërsa presidentja Vjosa Osmani në urimin e saj të shkruar ka thënë se festa e Kurban Bajramit shpërfaqë shpirtin e solidaritetit, kujton rëndësinë e sakrificës, përkushtimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.

“Kurban Bajrami është një thirrje për reflektim mbi vlerat më të larta njerëzore dhe për forcimin e lidhjeve, dashurisë dhe mirëkuptimit ndërmjet nesh. Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë.”

Myftiu- Kurtit në BIK: Desha t’i ftojë deputetët me pre nga një kurban, ndoshta ju shkon më mirë

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës priti kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Gjatë takimit, Muftiu Naim Tërnava, me ironi, u shpreh se kishte menduar t’i ftonte të gjithë deputetët për të prerë nga një kurban, me shpresën se kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e ngërçit politik.

“Desha t’i ftojë të gjithë deputetët e parlamentit ta prejmë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon mbarë e mirë.

Ndoshta hapen rrugët. Temë e kam pasur natalitetin dhe kam kërkuar kush i ka nga 4-5 fëmijë t’i bëhet një banesë se po zbehet Kosova. Ka rënë shumë nataliteti”, tha Tërnava.

Haradinaj shkon në BIK, flet për ngërçin politik: Uroj që Zoti me na i gjet rrugët

Bashkësia Islame e Kosovës ka organizuar pritje me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Ndër të parët që shkuan për të takuar e uruar myftiun Naim Tërnava, ishte kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Bashkë, ata shkëmbyen urimet më të përzemërta për këtë festë të rëndësishme të fesë islame.

Haradinaj foli po ashtu për situatën e krijuar në politikën kosovare. “Uroj që Zoti me na i gjet rrugët”, u shpreh ai.

​Myftiu Tërnava propozon banesa falas për familjet me katër ose më shumë fëmijë: Rënia e natalitetit është alarm kombëtar

Ruajtja e moralit, kulturës gjuhës dhe kombit ishte thirrja e myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Duke apeluar për familje më të mëdha, ai i propozoi Qeverisë së Kosovës që t’iu jap falas nga një shtëpi të gjitha familjeve që kanë katër ose më shumë fëmijë, raporton KosovaPress.

“Rënia e natalitetit është alarm kombëtar”, u shpreh ai.

Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi rëndësinë e sakrificës, bashkimit dhe vlerave familjare. Derisa shtoi se Festa e Bajram Bajramit është ditë gëzimi por edhe reflektimi.

Tërnava: Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi por edhe ditë reflektimi

“Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi por edhe ditë reflektimi. Është ditë kur e rikujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që Ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë dhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë drejt njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi. Kurban Bajrami është ditë e madhe, sakrifice dhe solidariteti... Kurban Bajrami na mëson se feja jonë kërkon sakrificë, jo vetëm në aspektin material, por edhe në përpjekje për ta përmirësuar shoqërinë, për ta ruajtur atdheun, për ta forcuar familjen dhe për ta mbrojtur të ardhmen tonë... Sakrifica që kërkohet prej nesh sot, është sakrifica për të ruajtur moralin, kulturën, gjuhën dhe vetë ekzistencën tonë si komb”, tha ai.

Edhe këtë herë, myftiu Tërnava foli për migrimin, për çka kërkoi nga institucionet e vendit që të dalin me një strategji kombëtare për natalitetin.

Familja, siç tha ai, duhet parë si bekim e kontribut në ruajtjen e shoqërisë dhe kombit, e jo si barrë e frikë nga risku.

Tërnava: I propozoj qeverisë t’ua dhurojë të gjitha familjeve me nga katër fëmijë nga një banesë ‘gratis’

“Kosova ka nevojë për më shumë fëmijë, për më shumë të rinj, për jetë më të mirë. Kombi ynë po zbehet në numër të vogël të fëmijëve, ndërkohë që shumë familje shqiptare në të kaluarën i kanë rritur nga 10 fëmijë, në kushte shumë më të vështira, atëherë kur ishim të okupuar nga Serbia. Nataliteti si strategji kombëtare dhe fetare për mbrojtjen e fesë dhe atdheut, ndërlidhet me sigurinë kombëtare dhe shtetërore... Rënia e natalitetit është një alarm kombëtar, shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështesë familjet me politika pro natalitetit, siç janë, punësimi i të dy prindërve, lehtësimet ekonomike, mbështetja për nënat shtatzëna, kujdesi për fëmijët e tjerë. Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë. Dhe, çdo qift që ka katër e më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që t’ua dhurojë të gjithëve nga një banesë – gratis. Kjo nuk është vetëm nevojë ekonomike për këto familje, por është edhe përgjegjësi morale, fetare dhe kombëtare, sepse duke ndërtuar një familje të shëndoshë ne ndërtojmë të ardhmen”, tha ai.

Tërnava apeloi që në një ditë si sot të kujtohen dhe të ndihmohen të kujtojmë të varfrit dhe jetimët

Tërnava: Kurban Bajrami na mëson sakrificën për ta ruajtur atdheun

Në manifestimin qendror të Kurban Bajramit, që u mbajt sot në Xhaminë “Sulltan Fatih” në Prishtinë, muftiu Naim Tërnava mbajti ligjëratën para besimtarëve, duke theksuar rëndësinë e sakrificës, bashkimit dhe vlerave familjare.

Muftiu Tërnava bëri thirrje për dashuri, drejtësi dhe bashkëpunim në shoqëri, në frymën e Kurban Bajramit.

"Sot jemi mbledhur për të falur Kurban Bajramin, jo vetëm për t’u mbledhur në këtë ditë, aty ku sakrifica bashkohet dhe jetohet. Nuk ka gjë më të bukur kur shpirti gjen qetësinë. Kurban Bajrami na mëson që kërkon sakrificë për ta ruajtur atdheun, për ta ruajtur familjen dhe shoqërinë", tha ai.

-------

Myslimanët si në tërë botën, ashtu edhe në Kosovë, sot e kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.

Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban-Bajramit, u mbajt në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.

Namazi i Kurban-Bajramit u fal në orën 05:35. 

Me rastin e festës së Kurban-Bajramit, ditën e parë, më 6 qershor 2025, Kryesia e BIK-ut, siç është traditë, organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë, nga ora 09:00 deri në 12:00.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu i Kosovës Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë për këtë festë të shenjtë.

“Në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, për t’ju përcjellë për këtë festë kaq madhështore, festën e Kurban Bajramit, urimet më të përzemërta, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që kjo ditë e bekuar t’ju gjejë me zemra të qeta, me shëndet dhe mirëqenie, me familje të bashkuara dhe me besim të thelluar në vlerat më të larta shpirtërore”, ka theksuar Tërnava në mesazhin e tij.

“Kurban Bajrami është përkujtim i sakrificës profetike të Ibrahimit a.s., i cili ishte i gatshëm që ta flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të Madhërishëm, dhe i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufij dhe as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin më të lartë pikërisht në dorëzimin e plotë ndaj vullnetit hyjnor të Zotit xh.sh.. Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat