Teksa Ibrahim Rugova po mbahej peng i autoriteteve të regjimit serb në Prishtinë në maj të vitit 1998, Bujar Bukoshi kishte më shumë përgjegjësi mbi supe. Udhëheqësi i qeverisë në ekzil të Kosovës gjatë luftës, avokonte për përkrahje nga ShBA në një vizitë zyrtare në Uashington në javën e parë të atij muaji. Në një intervistë për televizionin C-SPAN në Kapitol Hill, Bukoshi çmontonte propagandën serbe për historinë dhe UÇK-në.
I qetë por i brengosur për gjenocidin ndaj shqiptarëve, Bujar Bukoshi mbrojti me vendosmëri çështjen e Kosovës gjatë një paraqitje para publikut amerikan në televizionin me frekuencë kombëtare, C-SPAN, më 1998.
Në një intervistë të realizuar në televizionin me bazë në Kapitol Hill më 4 maj të 1998-s, ish-kryeministri i qeverisë në ekzil çmontoi me qetësi imponuese propagandën serbe të transmetuar përmes telefonatave live gjatë intervistës.
Bukoshi, përveç që senzibilizoi publikun amerikan për gjenocidin e regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, mbrojti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si lëvizje legjitime çlirimtare dhe kërkoi ndihmë për popullin e tij që po vuante nga masakrat.
Vetëm dy ditë para paraqitjes së tij në C-SPAN, 116 civilë të pambrojtur shqiptarë ishin vrarë mizorisht nga forcat serbe. Masakra kishte ngjarë më 2 maj në Shtudime të Poshtme dhe të Sipërme të Vushtrrisë.
“Po jetoj në Gjermani tash dhe qëllimi i vizitës time në Uashington tani është, fillimisht jam këtu për të shprehur mirënjohjen për politikën e vendosur amerikane në emër të popullit të Kosovës dhe për të kërkuar ndihmë, për të kërkuar mbrojtje për popullin e pambrojtur të Kosovës dhe për të takuar komunitetin shqiptar do të shkoj nesër në Nju Jork për të takuar bashkëatdhetarët e mi”, tha Bukoshi.
Bukoshit nuk ia zinte goja toponimin Kosovo. Gjatë tërë intervistës, ai i referohej Kosovës si Kosova. Njëherë gjatë emisionit, i pyetur nga moderatori rreth dallimit në emrat “Kosova” dhe “Kosovo”, ai kujtoi se kjo nuk ishte brenga kryesore.
Ish-kryeministri i qeverisë në ekzil theksoi se me rëndësi ishte që Kosova, sido që do ta quanin të huajt, të mos lëndohej. Të mos shkatërrohej.
“Kosova – është shqip. Kosovo – është serbo-kroatisht. Mendoj se nuk është ndonjë diferencë e madhe, as nuk e bën ndonjë diferencë aq të madhe. Me rëndësi është që të mos lëndohet Kosova. Mund ta thërrisni Kosovën, Kosovo, Kosova, Kosovar si të doni, por mos e shkatërroni Kosovën”, theksoi Bukoshi.
I ballafaquar me një artikull të propagandës serbe të botuar në vitin 1998 në The Washington Post në të cilin UÇK-ja portretizohej si dorë e zgjatur e terroristëve islamikë, Bukoshi, sërish me qetësi, i mohoi kategorikisht pretendimet e artikullit. E mbrojti UÇK-në. Tha se ajo paraqet një përpjekje legjitime të shqiptarëve të Kosovës për të mbrojtur popullin.
“Jam i mërzitur për këtë titull dhe për këtë përshtypje të gabuar për të krijuar konfuzion sikurse UÇK-ja të jetë organizatë terroriste. Nuk është e vërtetë që UÇK-ja është organizatë terroriste. Duhet ta them këtë, UÇK-ja është një reaksion normal ndaj provokimit serb. Është një përpjekje legjitime për t’i mbrojtar njerëzit tanë, shtëpitë tona, familjet tona”, tha Bukoshi, i cili më tutje sqaroi se rezistenca e shqiptarëve të Kosovës nuk financohej nga askush tjetër, përpos disaporës shqiptare.
Bukoshi konfirmoi se as UÇK-ja, e as qeveria në ekzil, nuk kishte pranuar kurrë ndihmë financiare nga oranizatat e huaja, përpos mjeteve vullnetare të deponuara nga diaspora. Vet Bukoshi ishte i ngarkuar me këtë punë për tetë vite me radhë.
“Së dyti, nuk po them që të gjithë njerëzit e UÇK-së janë engjuj, por qeveria ime provoi që nga dita e parë që ta bëjë UÇK-në më të fortë dhe ta vendos UÇK-në nën kontrollin institucional dhe politik. Nuk mund të përjashtoj se ndonjë shqiptar mund të dal në rrugë të shes drogë etj. Por, mos harroni se populli ynë organizoi jetë institucionale për tetë vite. Janë një numër i madh i bashkëatdhetarëve të mi të cilët jetojnë jashtë vendit, në SHBA dhe dhurojnë vullnetarisht mjete financiare për të ndihmuar Kosovën dhe ne e mbajtëm frontin për tetë vite duke i paguar mësuesit tanë për këto vite sepse, siç e dini, Serbia i mbylli shkollat tona, gazetat, televizionet dhe të gjithë jetën tonë institucione. Më duhet t’i mohoi kategorikisht këto përpjekje që duan t’i japin imazh të keq këtyre lëvizje legjitime për lirinë e Kosovën. Jam duke e thënë kategorikisht se nuk kemi asnjë financim nga asnjë organizatë terroriste”, sqaroi njëri nga themeluesit e LDK-së.
Kur një propagandues serb i prezantuar si shtetas amerikan telefonoi gjatë paraqitjes live të Bukoshit dhe listoi një grumbull të pavërtetash për historinë e shqiptarëve dhe serbe, Bukoshi nuk ngurroi të korrigjonte faktet.
Telefonuesi: Mirëmëngjes! Falemnderit që pranuat telefonatën time. Jam një serb i diplomuar në Universitetin e Arkansasit dhe e lexova një artikull që deklaron se 140 mijë serbë ishin masakruar nga shqiptarët në luftën e dytë botërore. Artikulli po ashtu deklaron se Shqipëria ishte njëherë një shtet fashist, një shtet komunist, stalinist dhe më i korruptuari i Evropës. Po ashtu thotë se serbët ishin dëbuar nga Kroacia dhe se presidenti boshnjak ishte po ashtu një lider i divizionit SS në Luftën e Dytë Botërore. Dhe se këto informacione shtetasit amerikanë nuk i dinë dhe kur ky informacion do të dal në publik, opnioni i publikut amerikan do të kthehet kundër shqiptarëve dhe kosovarëve. Dhe një pyetje tjetër: nuk e dija se Kosova është Republikë e Jugosllavisë. Cili është komenti juaj?
Bukoshi: Do të provoj të përgjigjem shkurtimisht. Fillimisht, kjo shifër prej 140,000 serbësh të vrarë nga shqiptarët, është me të vërtetë një propagandë e vjetër serbe. Shqiptarët ishin gjithmonë njerëz të diskriminuar gjatë të gjithë regjimeve serbe. Ne nuk kishim kurrë të drejtat tona brenda Mbretërisë Jugosllave dhe Jugosllavisë së Titos. Është e njëjta sikur të thuash sot njerëzit me ngjyrë në Afrikën e Jugut kryen gjenocid ndaj të bardhëve në Afrikën e Jugut. Ne nuk e kemi pasur kurrë mundësi të tilla. Ne kemi qenë gjithmonë njerëz të diskriminuar në ish-Jugosllavi.
Është e vërtetë që shqiptarët e përjetuan okupimin nga italianët dhe gjermanët gjatë luftës së dytë botërore si një ‘çlirim’ sepse presioni dhe terrori shtetëror i Serbisë ishte i pamasë. Krahasuar me këtë, shqiptarët kishin mundësinë e tyreë të parë që të hapnin shkollat në gjuhën amtare të tyre. Dhe e treta, Kosova ishte njësi federale brenda Jugosllavisë, gjatë Jugosllavisë së Titos, por jo Republikë si Sllovenia apo Kroacia, por pas shpërbërjes së Jugosllavisë të gjithë popujt brenda federatës kishin të drejtë të vendosnin për të ardhmen e tyre.
Bujar Bukoshi, ish-bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-kryeministër i qeverisë në ekzis dhe ish-ministër i Shëndetësisë në Kosovën e pasluftës, vdiq të martën në moshën 78-vjeçare në Prishtinë.
Nga viti 2013, ai u tërhoq nga jeta politike pas diagnostifikimit me kancer dhe nuk u shfaq kurrë më në publik.