“Pa Parlament s’ka shtet”, Arianit Koci bën thirrje: Bojkotoni deputetët, sepse...

Aktuale

“Pa Parlament s’ka shtet”, Arianit Koci bën thirrje: Bojkotoni deputetët, sepse...

Nga: A.SH Më: 15 qershor 2025 Në ora: 08:08
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Avokati Arianit Koci ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të vazhdueshëm të punës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se për herë të 32-të radhazi, deputetët nuk po arrijnë marrëveshje.

Sipas tij, mungesa e funksionimit parlamentar po çon drejt shpërbërjes së shtetit, jo nga ndonjë luftë, por nga "inat dhe papërgjegjësi".

“Pa Parlament s’ka ligje, pa ligje s’ka rend, s’ka shtet. Ka vetëm zvarritje, kaos dhe heshtje,” u shpreh Koci.

Ai theksoi se qeveria është “në detyrë, por pa kontroll”, ndërsa institucionet janë të bllokuara. Koci i bëri thirrje qytetarëve të mos i trajtojnë më deputetët si përfaqësues të tyre derisa të mos e formojnë Parlamentin dhe paralajmëroi pjesëmarrjen në protestën e 50-të

“Mjaft kemi pritur. Mjaft kemi heshtur. Tani është koha për veprim.”

Postimi i plotë:

E dimë paraprakisht: as sot, për të 32-tën herë, deputetët nuk do të merren vesh.

Një tjetër ditë e humbur. Një tjetër dëshmi se shteti po shpërbëhet – jo prej ndonjë lufte, por prej inatit dhe papërgjegjësisë.

Pa Parlament s’ka ligje, pa ligje s’ka rend, s’ka shtet. Ka vetëm zvarritje, kaos dhe heshtje.

Qeveria është në detyrë, por pa kontroll. Vendimet mungojnë, llogaridhënia nuk ekziston, institucionet janë të ngrira – vendi i bllokuar.

E gjithë kjo, sepse ata – thjesht – mund të sillen kështu. Po sillen kështu me neve, sepse ne po i lejojmë. Po munden. Po na manipulojnë. Dhe ne po heshtim.

Nuk ka më justifikime. Është koha të jemi më aktivë, më të vetëdijshëm, më të zëshëm. Sepse nëse nuk e marrim ne situatën në dorë, ata nuk do të bëjnë asgjë për ta zgjidhur.

Sot, së paku – një hap simbolik: t’i përcjellim me emër e mbiemër. Të dimë qartë: a janë në seancë, apo në ndonjë resort pushimi?

T’ua prishim këtë të diel, sepse ata po na e prishin jetën. Na kanë uzurpuar të ardhmen.

Deri atëherë – le të ekspozohen në marre, në dështim, në heshtje, në ikje nga përgjegjësia.

Unë ndërkohë – po përgatitem. Sepse do të vijë protesta e madhe.

Në takimin e 50-të të deputetëve – do të jem aty. Atëherë, askush nuk do të mund të fshihet më. As pas dyerve të Kuvendit, as pas fjalëve boshe që s’thonë asgjë.

Sepse mjaft kemi pritur. Mjaft kemi heshtur. Tani – është koha për veprim. Për ndëshkim moral. Për përgjegjësi politike.

Nëse doni me i ndalë, filloni prej vetes:

ju lus – bojkotoni deputetët. Mos i dëgjoni. Mos i trajtoni si përfaqësues. Sepse derisa nuk e formojnë Parlamentin – nuk përfaqësojnë askënd. As ju. As mua. As Kosovën.

Kjo situatë i konvenon vetëm një grupi: armiqve tanë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat