Hasani nuk merr pjesë në seancë: I njëjti serial, veç episodet po ndërrohen

Aktuale

Hasani nuk merr pjesë në seancë: I njëjti serial, veç episodet po ndërrohen

Më: 19 qershor 2025 Në ora: 10:05
Nait Hasani

Para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, deklaroi se nuk do të merr pjesë në seancë, pasi që sipas tij, procesi po vijon njëjtë pa ndryshime. Ai theksoi se, deri në ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese, nuk parashikon ndryshime të mëdha.

“Në seancë jo. Seriali i njëjtë, veç episodet po ndërrohen, s’ka ndryshime... Në dorë të Zotit dhe të Gjykatës Kushtetuese (të ndërrohet diçka)”, ka thënë ai.

Vazhdimi i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot nga ora dhjetë (10:00).

Tridhjetetre vazhdimet e deritanishme kanë dështuar për formimin e legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit.

Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.

Albulena Haxhiu në gjashtë tentime ka dështuar të kalojë provimin dhe në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat