​KEK nën vëzhgim, Rizvanolli kërkon hetim dhe mos përhapje të panikut

Aktuale

​KEK nën vëzhgim, Rizvanolli kërkon hetim dhe mos përhapje të panikut

Më: 20 qershor 2025 Në ora: 19:25
Foto ilustrim

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me kryesuesin e bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi, dhe u.d. kryeshefin ekzekutiv, Gramos Hashani, ka vizituar sot termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës për të parë nga afër situatën aktuale dhe punën që po zhvillohet në njësitë prodhuese të energjisë.

Ajo ka shkruar në Facebook se sipas informatave të ofruara nga menaxhmenti i KEK-ut, njësia A3 është rikthyer në operim mbrëmë pas mesnate dhe do të vazhdojë me prodhim.

“Në njësinë A5 do të fillojnë sanimet e rrjedhjeve, me qëllim që të aktivizohet brenda pak ditësh, njësia B1 është aktualisht në operim, por do t’i nënshtrohet ndërhyrjeve gjatë fundjavës, me synim rikthimin në funksion të hënën. Në njësinë B2 punët për modernizim po ecin sipas planifikimit”, ka shkruar ajo.

Rizvanolli kërkoi nga menaxhmenti i KEK-ut të analizojë me kujdes ndaljen e paplanifikuar të njësisë A4, si dhe të ndërmerren masa për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen. Ajo theksoi se në rast se konstatohen raste të neglizhencës në çfarëdo niveli, duhet të merren masa të rrepta disiplinore në përputhje me rregulloren e punës.

“Menaxhmenti dhe punonjësit e KEK-ut na siguruan se janë duke bërë maksimumin për rikthimin e prodhimit sa më parë,” tha Rizvanolli pas vizitës.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për përgjegjësi nga të gjithë operatorët në sektorin energjetik, duke theksuar nevojën për mospërhapje të panikut tek qytetarët dhe për përmbushje të plotë të obligimeve të tyre.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat