Zogaj pas dështimit të 37 për konstituim: Fajtori kryesor është VV’ja, s’ka përpjekje serioze për të dalë nga kjo situatë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Alban Zogaj, është deklaruar për media pas dështimit të tentativës së 37 për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se është shenjë e mirë që qytetarët dhe shoqëria civile kanë filluar të protestojnë.
Zogaj ka shtuar edhe se, këto protesta duhet të drejtohen te Lëvizja Vetëvendosje, pasi që e njëjta është ‘’fajtori kryesor’’.
Tutje, Zogaj ka shtuar edhe se sipas tij s’ka përpjekje serioze për të dalë nga situata e krijuar në Kuvend.
‘‘Edhe sot një dështim i radhës në këtë sagën në këtë seri të dështimeve të njëpasnjëshme . Po vijmë çdo 48 orë dhe e kemi të njëjtin rezultat. Qytetarët kanë fillu, shoqëria civile ka fillu me protestu dhe kjo është një shenj e mirë. Dhe këtë protestë duhet me drejtu tek partia më e madhe në vend, te fituesja e zgjedhjeve, për arsye se fajtori kryesor është partia e cila i ka fitu zgjedhjet. Brenga jonë më e madhe është se nuk ka asnjë përpjekje për të dalë nga kjo situatë, dhe pa përpjekje serioze për të dalë nga kjo situatë ne do të jemi kështu edhe në seri të tjera të takimeve’’, ka deklaruar ai.
Haradinaj: Shqetësimi i shoqërisë civile për bllokadën politike është real, e mirëpres që na e kujtojnë detyrën tonë
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur protestën e sotme të shoqërisë civile përpara Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj ka thënë se mirëpret faktin që shoqëria civile ua kujton deputetëve të Kuvendit të Kosovës detyrën që e kanë.
“Mendoj që paraqesin një shqetësim që ekziston në shoqërinë tonë.
Është shqetësim real. Të gjithë e kanë përgjegjësinë e vet. E mirëpres shoqërinë civile që na e kujton detyrën tonë”, ka thënë Haradinaj.
Çitaku: Dëgjojmë deklarime qesharake se gjoja i kanë numrat për qeveri, por jo për kryeparlamentar – kjo s’do koment
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se situata në Kuvendin e Kosovës është e papranueshme meqë sot për të 37-ën herë dështoi konstituimi i legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Ajo fajësoi Lëvizjen Vetëvendosje për këtë gjendje, ndërsa tha se deklaratat e tyre se kanë numrat për qeveri, por jo për kryeparlamentar është qesharake.
“Por në këtë pikë të bllokadës jemi si rezultat i kryeneçësisë, papërgjegjësisë të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Dëgjojmë deklarime qesharake ku gjoja thuhet se kanë numra për qeveri, por jo për kryeparlamentar. Kjo s’do koment, papërgjegjësi.
Çitaku përsëriti thirrjen për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj që të dalin nga kjo pozitë e bllokadës.
“I bëjmë thirrje kryetarit të Vetëvendosjes të reflektojë, Kosova është më e madhe dhe më e rëndësishme se egoja e tij”.
Liamj: Ta gjejmë një marrëveshje sa më shpejt, forcat politike duhet të ikin nga kalkulimet
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj kërkoi marrëveshje politike “sa më shpejt”, pasi dështoi për herë të 37-të konstituimi i Kuvendit.
Ai tha se këtë e tha edhe brenda Kuvendit.
“Forcat politike në Kosovë ngadalë duhet me ikë nga kalkulimet dhe lojërat e fjalëve, por duhet të fokusohen dhe të përqendrohen të përmbushin atë që e presin qytetarët e Kosovës, atë që e pret shteti i Kosovës, sa më shpejt”, tha Limaj.
Deputeti tha se “veç jemi të vonuar, tepër të vonuar”.
Dështon sërish konstituimi i legjislaturës së nëntë
Për herë të 37-të ka dështuar përpjekja për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi sërish sot nga subjektet politike parlamentare të cilat nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që ta bëjnë këtë, por propozime nuk pati as kësaj here nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe.
Nga 92 deputetët që ishin në sallë, 52 votuan për, kundër dhe abstenim nuk pati. Seanca tjetër mbahet pas 48 orësh.
-------
Ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës po vazhdon tash e më shumë se disa muaj, ndërsa deputetët do të mblidhen sot për herë të 37-të, në një tjetër tentativë për ta konstituuar Kuvendin dhe për të zgjedhur kryetarin e tij.
Seanca është thirrur të fillojë në ora 11:00, por mbetet të shihet nëse do të ketë zhvillime konkrete apo një tjetër dështim.
Në seancën e kaluar, deputetët nuk arritën ta formojnë Komisionin për organizimin e votimit të fshehtë, i cili është i domosdoshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ky bllokim po ndodh për shkak të refuzimit të partive opozitare për të propozuar anëtarë në komision, duke pamundësuar krijimin e tij.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po insiston vazhdimisht në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, pavarësisht faktit se ajo nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme në asnjë nga seancat e deritashme.
Që nga 15 prilli, kur u mbajt seanca e parë konstituive pas zgjedhjeve të parakohshme, Kuvendi ka dështuar plot 36 herë në tentativat për zgjedhjen e kryetarit dhe për konstituimin e tij të plotë.