Bllokada në Kuvend: PDK i drejtohet sot Kushtetueses, detaje çfare tha Krasniqi

Aktuale

Bllokada në Kuvend: PDK i drejtohet sot Kushtetueses, detaje çfare tha Krasniqi

Më: 3 korrik 2025 Në ora: 12:57
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bëri të ditur se sot do të dorëzojnë rastin e ri në Gjykatën Kushtetuese. Sipas tij, në tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “shkelje [të Kushtetutës] të qëllimshme dhe me vetëdije nga kryesuesi i seancës konstituive”.

Krasniqi u deklarua pas dështimit të 41-të për konstituim të Kuvendit.

Krasniqi: Sot gjatë ditës do ta dorëzojmë rastin e ri në Gjykatën Kushtetuese

“Të tërhiqet nga qëndrimi i tij imponues, nga pengmarrja e shtetit dhe që të ndryshojë propozimin e tij dhe të kthehet në normalitetin e rrjedhës së seancës, ashtu siç ka kërkuar edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije e Kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës me instruksione të partisë së tij dhe ne s’mund të qëndrojmë duarkryq, për këtë arsye sot gjatë ditës do ta dorëzojmë rastin e ri në gjykatë”, deklaroi Krasniqi.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një interviste për Tëvë1 më 2 korrik, tha se PDK merr instruksione nga ish-drejtuesit e kësaj partie të cilët ndodhen në Hagë – Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Thaçi dhe Veseli, bashkë me Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin po përballen me një proces të tejzgjatur gjyqësor. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë pas akuzave për krime të pretenduara të luftës.

Krasniqi tha se këto deklarata shpërfaqin krizën e shumëfishtë në të cilën po kalon Kurti.

Krasniqi: Kurti është njeriu i cili çdo ditë e pret me tmerr datën 12 tetor

“Unë nuk e pash intervistën e zotëri Kurtit sepse dje ka qenë një koncert shumë më i vlefshëm se sa fjalët që i thotë ai në të njëjtën kohë. Por i kam parë pastaj sot transkriptuat e kësaj interviste dhe e dini edhe ju që shpërfaqje e nervozizmit edhe e frikës së zotëri Kurtit. Është shpërfaqja e krizës së shumëfishtë me të cilën po ballafaqohet edhe po jeton ai. Është njeriu që i ka fituar 48 mandate dhe nuk është në gjendje të bëjë shumicën parlamentare. Është zotëri Kurti ai që pothuajse pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve është edhe në sy të opinionit publik shkaktari kryesor dhe fajtori kryesor për krizën politike. Është njeriu i cili çdo ditë e pret me tmerr datën 12 tetor sepse e dinë që jo vetëm që do ta mundim në zgjedhje lokale por do ta plandosim në kuptimin elektoral mazi se që ja kemi bërë para katër vjete. Dhe krejt këto frika të tij janë frika që shpërfaqen edhe në ndërdijen e tij me deklarata të tilla qesharake”, u shpreh ai.

Më tej, Krasniqi tha se Kurti me këto deklarata “po vazhdon me qenë argat i prokurorisë”.

Krasniqi: Këto deklarata dëmtojnë drejtpërdrejt pozicionin e tyre

“Për më shumë sa i përket deklarimit në raport me presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli, nuk është diçka e re. Është e dhimbshme që me këtë deklaratë po vazhdon me qenë argat i prokurorisë, sepse deklarata të tilla janë deklarata të cilat e dëmtojnë drejtpërdrejt pozicionin e tyre, por nuk është befasuese e as nuk është diçka e re sepse kompleksi i zotëri Kurtit në raport me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është diçka që e ka definuar gjatë gjithë jetës. Përndryshe si mund ta arsyetoni që kurrë në jetë nuk ka shkuar për t’i vizituar atje, as Rexhep Selimin madje”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat