Avokati Hoxha flet për rastin e të riut në Lipjan: Policia nuk është për të dhënë drejtësi në rrugë

Aktuale

Avokati Hoxha flet për rastin e të riut në Lipjan: Policia nuk është për të dhënë drejtësi në rrugë

Më: 8 korrik 2025 Në ora: 10:34
Valdet Hoxha

Valdet Hoxha, ish-zëvendësministër i brendshëm dhe avokat, ka komentuar rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut në Lipjan, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse dhe pamjet si shqetësuese.

Në një lidhje direkte në emisionin “Ora Shtatë”, Hoxha tha se pamjet nga vendi i ngjarjes lënë përshtypjen e një ndërhyrjeje që mund të ketë qenë joprofesionale nga ana e policisë.

“Një pamje e shëmtuar. Në bazë të pamjeve mund të ketë një perceptim të përdorimit ndoshta jo profesional të policëve, sepse policia, me gjithë autorizimin për përdorimin e forcës, duhet në çdo rast të përmbushë tri kritere bazike: forca të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale”,  theksoi ai.

Sipas Hoxhës, përdorimi i forcës nuk guxon të tejkalojë qëllimin ligjor dhe duhet të përmbajë standarde të qarta.

“Policia e Kosovës nuk është e thirrur që të ndajë drejtësinë nëpër trotuare dhe nëpër udhëkryqet e rrugës së përbashkët të Republikës së Kosovës. Ata duhet t’i adresojnë shkelësit e ligjit te mekanizmat kompetentë dhe duke u sjellë në harmoni me kushtet dhe shtetin ligjor të Policisë së Kosovës”.

Ai shtoi se megjithëse pamjet janë “vërtet tronditëse”, nuk duhet nxituar në gjykime pa u zbardhur rasti plotësisht.

“Nuk duhet t’u hyjmë në hak zyrtarëve policorë. Pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, duhet të presim rezultatin e hetimeve”, shtoi Hoxha.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat