Dëshmia e Leonardit në seancën për vrasjen e Liridona Ademajt: E gjeta Naimin në hotel, kishte porositur...

Aktuale

Dëshmia e Leonardit në seancën për vrasjen e Liridona Ademajt: E gjeta Naimin në hotel, kishte porositur...

Më: 14 korrik 2025 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 11:35 më 14.07.2025
Leonard Ademaj

“Aferë tradhtie”, vëllai i Liridonës përballet me Naim Murselin në gjykatë

Seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt po vazhdon në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku po dëshmon vëllai i saj, Leonardi i cili tashmë po përballet me Naim Murselin, vrasësin e akuzuar për krimin e rëndë ndaj motrës së tij.

Gazetarja ka dhënë detaje nga ‘ballafaqimi’ dhe deklarata e fortë e Leonardit për një ‘aferë tradhtie’.

“Naim Murseli: E kom një pyetje për Leonardin, për 12 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra e tij për mua apo për raportin tonë?

Leonard Ademaj: Jo, nuk është ankuar, përveç, me aq sa mbaj mend, e kishte prekur shumë një aferë tradhtie e Naimit, por ajo vet e kishte zgjidhur…

Naim Murseli: Ju thatë ma herët Leonard që kinse unë pasna qenë në morg me Kushtrim Kokallën, të nesërmen, në sa ora ka qenë kjo vizitë, e panjohur për mua

Leonard Ademaj: Orën nuk e di, një punonjëse në morg me tha që në mëngjes kanë ardhur Kushtrimi dhe Naimi

Naimi Murseli: Dy javë para ngjarjes, rreth datës 16 tetor, a kemi shkuar së bashku në Budva, për ta festuar ditëlindjen time, unë ti, bashkëshortja ime, bashkëshortja jote dhe fëmijët, me ftesë timen…

Leonard Ademaj: Po…”.

Leonardi përmbyll dëshminë për rastin e motrës: Marrë parasysh natyrën e viktimës, dënimi të jetë kapital

Në fjalën e fundit me të përmbyllur dëshminë e tij, në rastin e vrasjes së motrës së tij Liridonës, vëllai i saj, Leonardi dha qëndrimin e familjes së tij.

Ai kërkoi para trupit gjykues se për dorasin e vrasjes së motrës së tij, të ketë dënim kapital.

”Mesazhi jonë dhe i familjes është i qartë.

Dënimi nuk na e kthen Liridonën, por të paktën le të jetë një shembull për të gjithë ata që tentojnë të bëjnë një krim të tillë, andaj duke marrë parasysh rrethanat dhe natyrën e viktimës, dënimi të jetë kapital”.

“Fëmijët s’duan ta shohin me sy Naimin, e prejnë edhe nga fotot”

Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës, për vrasjen e të cilës po akuzohet bashkëshorti i saj, Naim Murseli, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku mes tjerash ka rrëfyer edhe për gjendjen e fëmijëve pas krimit të rëndë, si dhe takimin me ta në Suedi.

Leonardi ka treguar edhe disa fjalë të njërit prej djemve.

"Fjalët e Dijarit janë këto:

Hajni e ka fut dorën dhe ja ka bë mamit bam.

Po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore Liridonën në momentin e fundit të vrasjes. Gjithashtu, për përditësimin e të dhënave të tyre që e marr unë, fjalët e tyre janë po të këtij lloji.

Nga momenti që fëmijët kanë shku në Suedi, asnjëherë nuk kanë kërkuar takim me babin dhe gjitha thirrjet të cilat ja ka mundësu QPS me babin e tyre, ata nuk kanë pranuar asnjëherë.

E ka arritë deri aty, foto që i dërgojnë familjarëve ku janë bashkë Naimi me Liridonën, ata e shkëpusin me gërdhër Naimin nga fotografia.”, dëshmoi Leonardi

E la duke kërkuar në çantë, dëshmia e Leonardit: Naimi më tha ‘na doli hajni me armë…’

Vëllai i Liridona Ademajt ka ndarë dëshminë e tij për herë të parë para trupit gjykuës mbi situatën që ngjau në natën kritike kur mësuan se i kishin vrarë të motrën.

Ai foli për takimin me nipërit e tij pas aktit të rëndë që përjetuan, dhe gjithë rrëfimin që ia kishte transmetuar dhëndri i tyre tashmë i akuzuar për vrasje, Naim Murseli.

”Unë isha duke punu ne lokal në fshatin tim në ora 10 më ka telefonu bashkëshortja, më tha: A nive që e kanë vra Liridonen?”.

”Në lokal kishte shume njerëz nuk e kuptova mirë, a Liridonën motrën, a Aluridonin djalin e axhes”.

”Më ka thirrë edhe një herë m’ka tregu. Jom shku me vrap në shtëpi, kur jom shku gjendja e prindërve tejet e rëndë nuk dija çka të bëja. E kam marrë veturën edhe prindërit dhe jam nis për spital në Gjakovë”.

”Gjatë rrugës lexoja në gazeta se po Liridona është vra kur jam kanë në spital ku kom thanë a ja u jepni naj qetësues prindërve se po flitet se vajza e tyre, motra ime ka vdekur”.

”Tani kemi vazhduar për në QKUK në spital kishte shume policë, iu drejtova me pyetjen a mund të di për rastin e Liridona Ademaj?”.

”Më thanë: Duhet të shkosh në stacionin policor në Dragodan. Kam shku atje në polici kishte zyrtar policor dhe një nga policët aty ja kumtoi lajmin për vdekjen e Liridonës, prindërve”.

”Gjendja tëper e rëndë. Erdhi ambulanca pas pak minutash. I pyeta: Ku janë femijët dhe Naimi?”

”Me kanë thënë janë brenda. Unë me bashkëshorten kena shku të fëmijët takimi me ta shumë prekës ata ishin të frikësuar, të merzitur për atë që kishin parë e dëgjuar, kur i kam pytë ku është Naimi? – më kane thënë duke dhënë deklaratë”.

”Pas një ore, një orë e gjysmë Naimi ka dalë nga policia, ne fëmijët i kemi marrë në veturë se ishte orar gjumi. Aty ishte edhe Kushtrim Kokalla, e kemi pyte Naimin, çfarë ndodhi?”

”Ai [Naim Murseli] na tha qe: Na ka dal nje hajn me armë dhe na ka kërkuar të holla. Unë i kam nxjerr të hollat, i kam thanë edhe Liridonës jepja krejt çka ki, ajo duke shiku në çantë, unë i kom hap dyert m’i thanë fëmijëve me ik, në gjuhën suedeze. Mas 4-5 metra e kom ndi një krismë dhe unë vazhdoja të ikja me fëmijë”.

”Ka ardhë një veturë ka dashtë me na shkel mu e fëmijët, kom kërku ndihmë të disa shtëpi nuk na kanë jap ndihmë. Kom shku deri te marketi i kom thanë a po i kqyr fëmijët se ma kanë vra grunë. Ai m’ka thane jo rri këtu se është rrezik, priti policinë”.

”Leonardi: I kemi marrë fëmijet edhe kena ec, Naimi ka qëndru aty me Kushtrimin [pas deklaratës së policisë]. Për ne ajo natë nuk ishte e lehtë se i kishim edhe fëmijët, në shpi kemi qëndruar zgjuar deri në mëngjes”.

“Naimi ishte i qetë në varrim…”, si dyshuan dhe u tronditën familja e Liridonës: S’mujshim me besu krimin

Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, po vazhdon dëshminë e tij para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku po jep deklaratën e tij për ngjarjen tragjike që ndodhi në familjen e tyre.

Në pjesën e dytë, para gjyqtarit të procedurës paraprake, ai rrëfeu se si nisën dyshimet e tyre për Naim Murselin, se kishte gisht në krimin e kryer ndaj Liridonës dhe si u tronditën kur e kuptuan se ai u arrestua.

Media, e cila po e përcjellë seancën, mes tjerash, njoftoi se Leonardi ka treguar edhe disa momente para varrimit, gjatë ceremonisë mortore dhe pas zhvarrimit.

“Kemi shku në vendin e ngjarjes, ishte edhe Naimi aty, ja nisi me na shpjegu ngjarjen.

Njëherë tha dola nga ana e djathtë, tani nuk e di a nga e majta a e djathta.

Prapë nuk donim të dyshonim, kena shku në Gjakovë, erdh edhe Naimi me i marrë fëmijët se tha kanë me dhanë deklaratë në polici.

I ka marrë fëmijët, në u përgatitëm për varrim që do bëhej në Çërmjan. Kemi shkuar të nesërmen atje për me prit ngushëllime, aty ishin edhe prindërit e Naimit e Kushtrimit, njerëzit vinin për të pamje, Naimi nuk ishte aty.

E thirra ku je?

Tha fëmija kanë pasë me u marrë në pyetje, jam tu ardhë.

Pasi ka ardhë Liridona në orën 11, ka ardhë edhe Naimi.” -, tha ai tutje.

“Gjatë varrimit binte në sy më së shumti qetësia e Naimit e Kushtrimit, shumë të ftohtë edhe me mediat.

Kur u kthym në shtëpi, babai na tha që miqësia mes nesh dhe atyne ka përfundu këtu. 

Si ka mundësi që ky ka ikë me fëmijët e Liridona ka metë aty?

Pas 30 min e kemi pa që është arrestu Graniti, pas pak këmi marrë vesh edhe për arrestimin e Naimit dhe Kushtrimit.

Për neve ishte tronditëse fakti që dyshimet tona veçse u vërtetuan, por mendja nuk na lejojke që të besojmë që ky krim ka ardhë nga vetë Naim Murseli.” – tha Leonard Ademaj.

Rrëfimi i Leonardit për motrën e vrarë: Naimi tha kam probleme me zemër, s’di a muj me pa trupin

Vëllai i Liridona Ademajt, ka rrëfyer momentin kritik kur vendosën ta shihnin trupin e motrës së tij të vrarë.

Ai para trupit gjykues ndau edhe situatat me Naim Murselin kur e gjeti në hotel, i cili kshte pretenduar se ka probleme me zemër dhe kishte dilema ta shihte trupin e pajetë të gruas së tij.

”I thash a mujna me shku në morg me pa Liridonen?

M’ka thanë: Jo nuk na lejohet.

E kom thirrë vet spitalin i kom thanë a mundemi me ardh me pa trupin.

Kena shku, erdh edhe Naimi. Mjeku tha nese keni ndonje problem mundeni mos me ardhë?!

Naimi tha kam problem me zemër edhe s’di a muj me e pa.

Ka ardh deri te dera dhe veç nga dera e ka shiku nuk ka ardh brenda”.

Dëshmia e Leonardit për vrasjen e motrës: E gjeta Naimin shtrirë në hotel, kishte porositur drekë

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi ka dhënë dëshminë e tij sot para trupit gjykues.

Ai ka treguar se pas aktit e kishte kërkuar dhëndrin e tij, Naimin, dhe të njëjtin e kishte gjetur të shtrirë në hotel madje siç deklaroi, ai kishte porositur edhe drekë në ato momente.

”Rreth orës 11 provova të kontaktoj me Naimin sepse nuk e dinim ku ndodhej.

E thirra Valon Lluken, më tha: “Merre numrin e shoferit me të cilin është Naimi dhe fol me të.”

E thirra Betim Podrimqakun, më tha që Naimi është në Swiss.

U nisëm me djalin e axhës, dajën dhe tezakun.
Na thanë se është lart në dhomë.

Ai ishte i shtrirë në shtrat, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë që i kishte porositur si drekë. Nga habia menduam se ishte i frikësuar, se po e përjetonte me dhimbje.

I thashë: “A mundemi me shku në morg me pa Liridonën?”
Më tha: “Jo, nuk na lejohet.”

E thirra vetë spitalin, i thashë: “A mundemi me ardh me pa trupin?”

Shkuam, erdhi edhe Naimi.

Mjeku tha: “Nëse keni ndonjë problem, mundeni me mos ardh.”

Naimi tha: “Kam problem me zemër, s’e di a muj me e pa.”

Ai erdhi deri te dera, dhe vetëm nga dera e shikoi. Nuk hyri brenda”.

Nis dëshminë vëllai i Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tashmë ka nisur dëshminë e tij para trupit gjykues, vëllai i viktimës Liridona Ademaj, Leonardi.

Avokati i familjes, Leotrim Syla tha se Leonardi mund të dëshmojë për atë se si e ka parë ngjarjen pasi që ka ndodhur dhe çfarë informacionesh mund të ketë pasu

Vazhdon sot gjykimi në rastin e Liridona Ademajt

Në orën 09:00, sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Ditë më parë, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridonës.

Në raport theksohet se “tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”.

Gjithashtu, ekspertët nuk kanë gjetur asnjë shenjë të abuzimit me substanca narkotike apo alkool, e as ndonjë pengesë në zhvillimin mendor që do të ndikonte në perceptimin e realitetit.

Tre të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë deklaruar rreth fajësisë.

Për vrasjen e Liridona Ademajt, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Murselit, Plavës, Kokallës dhe Dodajt më 15 janar të 2025-tës. Ademaj u vra në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ndërsa rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë grabitjes.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat