Pas pezullimit, nis rehabilitimi i “Kosova A” në KEK

Aktuale

Pas pezullimit, nis rehabilitimi i “Kosova A” në KEK

Më: 14 korrik 2025 Në ora: 13:37
Foto ilustrim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se projekti kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3” në Termocentralin “Kosova A” vazhdon, në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendosmërinë e pandryshuar të KEK-ut për ta çuar përpara këtë investim strategjik për sektorin energjetik të Kosovës.

Sipas noftimit, ky projekt, i cili ishte pezulluar përkohësisht për shkak të një ankese të paraqitur nga një Operator Ekonomik në OSHP, ka marrë tashmë dritën e gjelbër për të vijuar.

“Më datë 10.07.2025, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka hedhur si të palejuar ankesën e operatorit ankues dhe ripohoi ligjshmërinë dhe korrektësinë e plotë të veprimeve të ndërmarra nga KEK, duke autorizuar vazhdimin e aktivitetit të prokurimit me nr. KEK-25-58-5-1-4. Korporata rithekson angazhimin e saj të palëkundur që i gjithë procesi të zhvillohet me transparencë të plotë, integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me standardet më të larta të prokurimit publik dhe me dokumentacionin e përgatitur në bashkëpunim me ekspertët vendorë dhe konsulencën e USAID”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në këtë frymë transparence dhe përgjegjshmërie publike, KEK njofton se të enjten, më 17.07.2025, duke filluar nga ora 13:00, në sallën e takimeve në TC Kosova B, planifikohet të bëhet hapja zyrtare e aplikimeve të Operatorëve Ekonomikë, përmes platformës elektronike të e-prokurimit. Kjo ngjarje do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetin social zyrtar të KEK Sh.A., në mënyrë që çdo qytetar dhe palë e interesuar të ketë qasje të drejtpërdrejtë në rrjedhën e procesit.

Më tej thuhet se KEK mbetet i vendosur që këtë projekt jetik ta çojë deri në fund, duke garantuar konkurrencë të ndershme, transparencë të mirëfilltë, zbatim të ligjit dhe përkushtim maksimal për të ardhmen energjetike të vendit.

Një javë më parë, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se rehabilitimi i A3 nuk është anuluar, por është pezulluar përkohësisht me kërkesën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), si rrjedhojë e një ankese tek ky institucion.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat