Nga dështimi në dështim, as në përpjekjen e 47-të nuk ka konstituim të legjislaturës së nëntë!

Aktuale

Nga dështimi në dështim, as në përpjekjen e 47-të nuk ka konstituim të legjislaturës së nëntë!

Më: 15 korrik 2025 Në ora: 07:06 Përditësuar në ora: 11:39 më 15.07.2025
Kuvendi i Kosovës

Anton Quni: Uniteti për Kosovën është domosdoshmëri, jo utopi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, tha se krijimi i unitetit në Kosovë nuk është një ëndërr e paarritshme, por një domosdoshmëri për të përballuar sfidat aktuale.

“Për Kosovën, krijimi i unitetit nuk është utopi, por një domosdoshmëri për të adresuar rreziqet aktuale,” u shpreh Quni në seancën parlamentare.

Teksa ia ndërpreu fjalën kryesuesi i seancës, Dehari.

Salihu: Kuvendi është bërë zyrë private e Albin Kurtit

Deputetja e PDK-së, Arbnora Salihu, ka kritikuar ashpër bllokimin e punës së Kuvendit, duke e quajtur situatën një pengmarrje politike.

“Sot jemi këtu për të parë për herë të 47-të shembullin tipik se si mbahet peng shteti. A është ky Kuvendi i Kosovës apo zyra private e Albin Kurtit?”, u shpreh ajo, duke theksuar se një shtet që synon anëtarësimin në KE, BE dhe OKB, nuk arrin as ta konstituojë Kuvendin për shkak të frikës nga humbja.

“Sot jemi këtu për të parë edhe një herë për 47 herë shembullin tipik se si mbahet peng shteti. Kush do ta besonte se një shtet që aspiron që bëhet anëtare e KE, BE e OKB nuk arrin as ta kosntitioj Kuvendin e vet, dhe po mbahet pengë sepse një njeri ka frikë nga humbja. A është ky Kuvendi I Kosovës apo zyra private e Albin Kurtit”, ka thënë ajo.

Mikrofonat ua ndalën – PDK flet me letra në seancë: Mos e shkelni betimin e deputetit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, përmes një letre të lexuar në Kuvend, ka kërkuar respektimin e betimit të deputetëve dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kosova nuk mund të mbahet peng i një emri,” thuhet në reagimin e PDK-së, duke theksuar se betimi ka kushtetutshmëri dhe ligjshmëri.

Për shkak të ndërprerjes së mikrofonëve, deputetët e PDK-së vendosën të komunikojnë përmes deklaratave me shkrim në seancë.

Kuvendi i Kosovës s’gjen rrugëdalje - 47 dështime radhazi

Për të 47-ën herë me radhë, përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përfundoi pa sukses më 15 korrik.

Edhe kësaj radhe, mbledhja e deputetëve të zgjedhur nuk solli ndonjë ndryshim në ngërçin politik që po zgjat tash e tre muaj.

Partitë deri më tash në opozitë - PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe - refuzuan të propozojnë anëtarët për komisionin që duhet të organizojë votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ata e konsiderojnë këtë procedurë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe e kanë kundërshtuar në mënyrë të përsëritur.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të shkurtit, insiston se votimi i fshehtë është në përputhje me ligjin dhe kërkon që procesi të mos bllokohet më tej.

Emërimi i kandidates së saj, Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit u hodh disa herë në votim të hapur, por nuk mori mbështetjen e nevojshme, pasi opozita e votoi kundër. Në seancën e 15 korrikut, kryesuesi Avni Dehari ua ndërpreu fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe Nismës, që nisën të adresonin problemin e ngërçit dhe jo të propozonin anëtarët për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Seanca u ndërpre, për të vazhduar më 17 korrik.Ndërkohë, më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet brenda një afati 30-ditor, por pa sqaruar pasojat nëse ky afat nuk respektohet.

Kjo ka hapur rrugë për interpretime të ndryshme nga partitë politike, të cilat mbeten të ndara në qasjen e tyre ndaj zgjidhjes së situatës.

Javën e parë të korrikut, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga bllokada institucionale.

Pas përfundimit të konsultimeve, ajo theksoi se konstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor - të vendosur nga Kushtetuesja - nuk është çështje vullneti, por obligim kushtetues.

Osmani u bëri thirrje partive që të angazhohen seriozisht për të gjetur një zgjidhje sa më parë.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se presidentja po shqyrton mundësitë ligjore për t’i drejtuar një kërkesë sqaruese Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të kuptohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të dhënë.

Bogujveci për ish-opozitën: S’po i kuptoj më as çka duan

Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, tha sot se partia e parë ka dhënë opsione për të dalë nga kriza institucionale, por sipas saj, ish-opozita nuk ka vullnet.

Ajo tha se nuk po i kupton dhe nuk di as çka duan.

“Nuk mund të ecim përpara kur deputetët nuk votojnë. Ne kemi dhënë opsione të vazhdueshme se si mund të dalim nga kjo situatë. Ka qenë ftesa e Kurtit qysh në prill për krerët e partive më të mëdha që të shkojmë pako në votim për emrat, pastaj është ofruar marrëveshje politike, jemi munduar, por nuk ka interes”.

“Nuk po i kuptoj më as çka duan, pse nuk votojnë, nuk ka sens në formën se si është duke vepruar opzota. Duhet kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie nga qytetarët që i kanë votuar”.

“Kemi thënë që nëse nuk ka zgjidhje të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka asnjë veprim, nuk votojnë dhe kjo që po thirret se Albulena nuk është duke u votuar, nuk është e vërtetë. Ka kaluar një numër i madh i seancave ku opozita nuk voton për komisionin zgjedhor”, u shpreh deputetja

Haxhiu e konfirmon: Do ketë takime Kurti-Limaj

Kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk pret ndryshime as sot në seancën e 47-të konstituive.

Megjithatë, para mediave, ajo konfirmoi se do të ketë takime të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti me kryetarin e Nismës, Fatmir Limajn, pasi siç u shpreh, të dyja palët kanë vullnet për bashkëpunim.

“Ende nuk kemi diçka konkrete”.

Ndërkaq në pyetjen se nëse Limaj do këmbëngulte për kryeparlamentar, Haxhiu u përgjigj: “Tashmë VV-ja ka dhënë qëndrimin, propozimin. Duke qenë se është emri im në kandidaturë, nuk mund të them më shumë”, përfundoi ajo.

Kuvendi për herë të 47-të tenton konstituimin e legjislaturës së nëntë

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për herë të 47-të në një përpjekje tjetër për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt. Vazhdimi i senacës konstrituive do të fillon në orën 11:00.

Të dielën ka dështuar edhe përpjekja e 46-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka kërkuar nga subjektet politike që nuk kanë propozuar emër për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që ta bëjnë një gjë të tillë, por si zakonisht ata kanë refuzuar.

Në vend të propozimit, ata në foltore kanë kërkuar nga kryesuesi që t’i kthehet pikës së rendit të ditës, por fjalimet e tyre janë ndërperë nga regjia me kërkesë të kryesuesit, pasi në seancën konstituive nuk lejohet debati.

Në votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë nga 85 deputetë të pranishëm, për votuan 43 deputetë, derisa nuk pati as vota kundër e as abstenim, pasi pjesa tjetër e deputetëve si zakonisht deri më tash, nuk morën pjesë në votim.

Procesi i konstituimit po vazhdon të mbetet i bllokuar në pikën kyçe të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, çka ka pamundësuar vazhdimin e rregullt të punës së këtij institucioni për më shumë se katër muaj.

Ky ngërç politik ka ndikuar drejtpërdrejt në paralizimin e punës së institucionit legjislativ, ndërsa qytetarët dhe shoqëria civile kanë shprehur shqetësim për mungesën e vullnetit politik për të gjetur zgjidhje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat